Një hise e dhunës më të tmerrshme të viteve të fundit në Izrael dhe Gazë ka rezultuar me imazhe dramatike të konfrontimeve të zhvilluar në mbarë qiellin e rajonit.
Më shumë se tre mijë raketa janë shkrepur javën e kaluar drejt Izraelit nga “Hamasi” dhe grupet e tjera militante palestineze.
Por rreth nëntëdhjetë për qind e raketave janë neutralizuar prej mburojës së famshme të sistemit izraelit të mbrojtjes, të njohur si “Kupola e hekurt”, ka bërë të ditur ushtria izraelite.
“Kupola e hekurt” ishte dizajnuar specifikisht për t’u mbrojtur kundër një morie kërcënimesh me rreze të shkurtra.
Sistemi i ka rrënjët në luftën e Izraelit me lëvizjen militante të Libanit “Hezbollah” më 2006, kur mijëra raketa ishin hedhur në drejtim të Izraelit – duke shkaktuar dëme të mëdha, evakuime masive dhe shumë raste fatale.
Pastaj Izraeli njoftoi se do të zhvillonte një sistem të mbrojtjes raketore.
Krijuar prej firmave izraelite, “Rafael Advanced Denfense Systems” dhe “Israel Aerospace Industries” me njëfarë mbështetje amerikane, “Kupola e hekurt” u operacionalizua më 2011.
E konsideruar në mesin e sistemeve më të avancuara të mbrojtjes në botë, “Kupola e hekurt” përdor radarin për të identifikuar dhe shkatërruar kërcënimet në ardhje para se ato të shkaktojnë dëme.
Sistemi për të gjitha kushtet meteorologjike ishte dizajnuar kastile për të ndihmuar neutralizimin e armëve të zakonshme me rreze të shkurta veprimi, si raketat të shkrepura nga Gaza.
“Kupola e hekurt” ishte e shtrenjtë për t’u zhvilluar, por prodhuesit thonë se ia vlen për shkak të teknologjisë që e përdor për dallimin që e bën ndërmjet raketave që do të shënjestrojnë zona me ndërtime dhe kur jo. Njësitet statike dhe mobile lansojnë raketa neutralizuese vetëm atëherë kur diçka konsiderohet e rrezikshme.
Një dekadë prej operacionalizimit të “Kupolës së hekurt”, Izraeli tani i ka dhjetë bateri të shpërndara në mbarën vendin, me secilën prej tyre me tre ose katër lansues që mund të shkrepin 20 raketa interceptuese.
“Numri i izraelitëve të vrarë dhe të plagosur do të ishte larg më i lartë nëse nuk do të ishte sistemi ‘Kupola e hekurt’, që doli të jetë shpëtues jete si gjithnjë”, ka deklaruar zëdhënësi ushtarak, Jonathan Conricus.
Por, disa analistë thonë se intensiteti i breshërive të fundit nga Gaza sugjeron se grupet militante po mundohen ta mbingarkojnë “Kupolën e hekurt” – duke ngritur shqetësime për kufizimet e mundshme të sistemit.