Sipas vëzhguesve të “Reporterëve pa kufij”, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka shfrytëzuar blerjen e mediumeve nga oligarkë të lidhur me qeverinë “për të ndërtuar një perandori të vërtetë mediatike që u nënshtrohet urdhrave të partisë së tij”. Një studim i bërë ka nxjerrë në pah se 90 për qind e buxhetit shtetëror për reklamat u jepen mediave pro partisë së tij, Fidesz
Në muajt para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, hungarezëve iu është bërë me dije se votimi kundër kryeministrit Viktor Orban do të ishte votë për një luftë të gjithanshme. Partia e krahut të djathtë, Fidesz, konsideronte se zgjedhjet e 9 qershorit ishin luftë ekzistenciale, luftë që mund të ruante paqen nëpërmjet fitores së Orbanit, ose në të kundërtën, do të nxisnin paqëndrueshmëri. Për ta përhapur këtë pretendim të guximshëm, Orbani shfrytëzoi një perandori masive mediatike proqeveritare që e ka dominuar diskursin politik të vendit për më tepër se një dekadë.
Taktika funksionoi, siç ka funksionuar qëkur Orbani ishte kthyer në pushtet, në vitin 2010 dhe partia e tij doli e para në zgjedhje - ndonëse jo me diferencën që ishte mësuar.
Një parti e re, e drejtuar nga një ish-anëtar i Fideszit, tërhoqi votues të pakënaqur dhe i fitoi 29 për qind të votave, përkundër Orbanit që i mori 44 për qind.
“Ka vetëm propagandë dhe gënjeshtra”
“Gjithçka është shkatërruar në Hungari. Shteti në esencë nuk funksionon, ka vetëm propagandë dhe gënjeshtra”, është shprehur lideri i kësaj partie të re, Peter Magyar, i cili së fundmi u shfaq si ndër sfiduesit më të frikshëm të qeverisjes së Orbanit.
Tisza, partia e Magyarit, ka bërë fushatë me premtimin për të çrrënjosur korrupsionin e ngulitur thellë në qeveri. Ai gjithashtu e ka akuzuar Orbanin për atë që e quan “fabrikë të propagandës” e që sipas tij e ka shkatërruar demokracinë e Hungarisë.
“Mund të jetë shumë e vështirë të imagjinohet nga Amerika ose Evropa Perëndimore se si është propaganda dhe makineria shtetërore këtu”, ishte shprehur Magyar para zgjedhjeve. Ky është realitet paralel si në Truman Shou (film ku personazhit kryesor i kontrollohen mendimet nëpërmjet televizionit si mjet komunikimi).
“Njerëzit e besojnë si realitet”, kishte thënë ai.
Që nga viti 2010, Qeveria e Orbanit ka promovuar armiqësi ndaj emigrantëve dhe ndaj të drejtave për komunitetet LGBTQ, mosbesim ndaj Bashkimit Evropian dhe ndaj financuesit hungarezo-amerikan, George Soros, që është me kombësi hebraike dhe një nga armiqtë e Orbanit, e që pretendohet se është i përfshirë në komplote të fshehura për ta destabilizuar Hungarinë.
Një mesazh i tillë ia ka dhënë partisë së Orbanit dy të tretat e shumicës në Parlament dhe së fundmi, delegatëve hungarezë legjislaturën brenda Bashkimit Evropian.
Por, sipas Peter Kreko, analist dhe udhëheqës i grupit të ekspertëve “Politic Capital” në Budapest, Orbani ka krijuar pothuajse një mjedis orwellian (shkrimtar anglez, George Orwell, që shkruan mbi diktaturat) ku qeveria armatos kontrollin e shumicës së mediave për t’i kufizuar vendimet e hungarezëve.
“Hungaria është bërë diktaturë propaganduese”
“Hungaria është bërë një autokraci informative shumë e suksesshme apo diktaturë propaganduese”, është shprehur Kreko.
Kufizimi i shtypit të lirë në Hungari ndikon direkt në pjesëmarrjen e barabartë të politikanëve në paraqitje publike. Politikanët opozitarë janë ankuar kohë më parë se iu japin vetëm pesë minuta kohë në transmetim çdo katër vjet në televizionin publik, si respektim i minimumit ligjor për t’i prezantuar platformat e tyre zgjedhore.
Në anën tjetër, kanalet televizive dhe radiot publike vazhdojnë t’u bëjnë jehonë qëndrimeve të bëra si nga Fidesz, ashtu edhe nga një rrjet institutesh dhe sondazhesh që përfitojnë fonde nga qeveria dhe partia në pushtet. Analistët e tyre shfaqen në baza ditore në mediumet e kapura për të forcuar narrativin e qeverisë, derisa komentuesit e pavarur politikë shfaqen tepër rrallë.
Gjatë fushatës së majit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Hungari kishte lëshuar një paralajmërim se transmetuesi publik e kishte përsëritur disa herë videon e fushatës së Fideszit, duke shkelur rregullin e paanshmërisë. Pavarësisht paralajmërimit, mediumi publik kishte vazhduar njëlloj.
Magyar, që fitoi një ulëse në Parlamentin Evropian, e vlerëson në mënyrë të pjesshme suksesin e partisë për ta anashkaluar dominimin e Orbanit. Këtë Magyar po e bën duke zhvilluar takime me ndjekës në rrjetet sociale. Por, në Hungarinë kryesisht rurale, edhe ata që kanë qasje të madhe në internet, luftojnë për të garuar me kontrollin e Fideszit.
Sipas vëzhguesve të “Reporterëve pa kufij”, organizatë botërore për mediat, Orbani ka shfrytëzuar blerjen e mediumeve nga oligarkë të lidhur me qeverinë “për të ndërtuar një perandori të vërtetë mediatike që u nënshtrohet urdhrave të partisë së tij”.
Reporterët besojnë se blerje të tilla i kanë dhënë partisë së Orbanit kontrollin e rreth 80 për qind të burimeve të tregut mediatik. Në vitin 2021, Orbani ishte vendosur “në listën e grabitqarëve” të mediave, e duke u bërë lideri i parë brenda BE-së që mori këtë “titull”.
Ky “titull” nuk u mor nga asgjëja.
Në 2016-n, gazeta më e vjetër e përditshme e Hungarisë u mbyll papritmas, pasi u ble nga një biznesmen që kishte lidhje me Orbanin. Në 2018-n, gati 500 media pro-Orbanit iu dhanë një fondacioni të kryesuar nga besnikë të Orbanit, duke ndërtuar kështu një konglomerat të gjerë mediatik të krahut të djathtë. Dhe, në 2020-n pothuajse i tërë stafi i mediumit online, “Index”, dha dorëheqje masive pasi kryeredaktori u shkarkua nga presioni politik.
“Një rrjet gazetarësh të pavarur dhe mediash në internet që vazhdojnë të operojnë në Hungari luftojnë me konkurrencën e pushtetit”, ka thënë Gabor Polyak, kreu i Departamentit të Medias dhe Komunikimit në Universitetin Eotvos Lorand në Budapest.
Ai ka thënë se Qeveria është reklamuesi më i madh në Hungari.
Një studim i bërë nxori në pah se 90 për qind e buxhetit shtetëror për reklamat u jepen mediave pro-Fideszit, duke i mbajtur ato gjallë. Përpjekjet e Qeverisë për të kontrolluar median kanë tejkaluar televizionin, radion dhe gazetat. Kjo pasi kontrolli është zhvendosur në postimet e rrjeteve sociale, që nxisin reklamat me pagesë. Hungaria ka shpenzuar gati më së shumti brenda Bashkimit Evropian, gati 4.8 milionë dollarë, për reklama politike në platformat Meta, brenda një muaji.
Kjo e ka tejkaluar edhe Gjermaninë që ka më tepër popullsi se Hungaria, thuhet në raportin e “Political Capital”. Në periudhën prej 30 ditëve, ekipi i Orbanit i ka shpenzuar 800.000 dollarë për të shtrirë përmbajtjen pro-qeveritare në platformat e Metas, më shumë se sa shpenzuan në total 16 vende të BE-së për të njëjtën periudhë.
Nëpërmjet narratives së Qeverisë të përhapur në media, është shfaqur një nivel polarizimi politik që mund të arrijë thellë në jetën private të hungarezëve.
Viteve të fundit pikëpamjet e Andrea Simon, një sipërmarrëseje 55-vjeçare nga periferia e Budapestit dhe bashkëshortit të saj, Attila Kohari, kanë filluar t’iu marrin kahe të ndryshme. Kjo, për shkak të qëndrimeve ditore të mediave pro Qeverisë.
“Truri i tij u zëvendësua me një tru të Fideszit”
“Ai dëgjoi stacione radioje ku ato shtynin përpara qëndrime dhe kjo ndryshoi tërësisht personalitetin e tij. Ndihesha sikur ai ishte rrëmbyer dhe truri i tij u zëvendësua me një tru të Fideszit. Ia thashë disa herë: Duhet të më zgjedhësh mua apo Fideszin. Ai tha Fideszin”, ka thënë 55-vjeçarja.
Në dhjetor, pas 33 vjetësh martesë, ata u pajtuan të ndaheshin.
Megjithatë, si shumë hungarezë që u përmbahen fort vlerave tradicionale në një botë në lëvizje, Kohari mbetet një mbështetës besnik i Orbanit dhe i politikave të tij, pavarësisht kostove personale.
“Dashuria e tij për vendin dhe besimi se Orban e ka udhëhequr Hungarinë në drejtimin e duhur e kanë bindur qartë se pozicionimi i tij është më i sakti. Por, kjo më shkatërroi martesën”, është shprehur Kohari.
Ligjvënësi i pavarur, Akos Hadhazy, ka vlerësuar se polarizimi i medias ka pasoja edhe financiare për Hungarinë. Ai i ka zbuluar dhjetëra raste të dyshuara të korrupsionit ku përfshihen edhe fondet e BE-së. Abuzime të tilla, sipas tij, nuk trajtohen ndryshe pasi shumica e votuesve nuk janë në dijeni për këtë.
Duke ndjekur modelin rus, Qeveria kontrollon mediat shtetërore dhe i shpenzon rreth 50 miliardë forinta (135 milionë dollarë) në vit për reklama që i mbështesin rrjetet e tyre televizive dhe faqet e internetit. Njerëzit që i konsumojnë ato informacione nuk dëgjojnë për këto gjëra.
Hadhazy ka shtuar se hungarezët që me vetëdije i kërkojnë lajmet e vërteta, dëgjojnë për raste të tilla dhe s'e kuptojnë si është e mundur që të mos ketë pasoja kur unë “ua prezantoj pothuajse përditë”.
“Por, për Qeverinë nuk është e rëndësishme që askush të mos dëgjojë për ta, është e rëndësishme që më shumë njerëz t'i dëgjojnë gënjeshtrat e tyre dhe kështu është. Shumë më tepër njerëz i dëgjojnë mesazhet e Qeverisë sesa faktet”, ka shtuar ai.