Botë

Si e fshehu Inteligjenca austriake të dyshuarin sirian për krime të luftës

Khalid al-Halabi besohet të ketë qenë përgjegjës për torturimin e aktivistëve opozitarë sirianë. Me gjithë përpjekjet për ta nxjerrë para drejtësisë, ai ka jetuar në liri të plotë në Austri për vite me radhë, i mbrojtur nga Agjencia vendore e Inteligjencës

Kur ithtarët e diktatorit sirian, Bashar al-Assad, ikën nga qyteti i Rakës pranverën e 2013-s, ata lanë prapa vetes një instrument paksa të çuditshëm në ndërtesën e sigurisë shtetërore: Një dërrasë druri me çivi në mes dhe një traversë në njërin cep.

Bisat al-Rih është emri që banorët lokalë ia dhanë pajisjes, e që në shqipe do të thotë “qilim fluturues”. Me gjithë emrin e pazakontë, është ky një mjet tejet i kobshëm torturimi, madje edhe për standardet e regjimit sirian, ka shkruar e përditshmja gjermane “Der Spiegel”.

Viktimat e këtij mjeti pretendojnë se pasi çivia u ngulitet thellë në trup shumë shpejt përballen me vështirësi për të marrë frymë ndërsa dhembja në nyje dhe shpinë bëhet e padurueshme.

Tetë vjet pas, dëshmitë e të mbijetuarve dhe të ish-pjesëtarëve të aparatit të sigurisë së Assadit kanë ofruar një pasqyrë më të qartë të tmerreve të kryera nga siguria shtetërore në Rakë para se qyteti të bjerë në duart e opozitës dhe më vonë të organizatës terroriste të Shtetit Islamik.

“Skandal i pashembullt”

Emrat e atyre që i kanë kryer krimet nuk dihet, porse “Der Spiegel” shkruan se edhe nxjerrja e shumicës së tyre para drejtësisë do të jetë e vështirë. Ky megjithëkëtë nuk është rasti me një burrë që pretendohet të jetë përgjegjës për krimet e kryera nga ekspertët e marrjes në pyetje që ishin nën komandën e tij: Gjeneral-brigadieri Khalid Muhsen al-Halabi.

56-vjeçari ishte shef i “Degës 335” të drejtorisë së përgjithshme të Inteligjencës siriane në Rakë para se të ikte në Evropë nëpërmjet Turqisë dhe Jordanisë, pas rënies së qytetit. Gazeta gjermane shkruan se zyrtarë të sigurisë në disa shtete të Bashkimit Evropian kanë shfaqur interesim për të dhe janë munduar ta gjejnë lokacionin e tij. Deri më tani ai është përfaqësuesi i nivelit më të lartë i Qeverisë siriane, që dyshohet për tortura dhe që është zbuluar në Evropë.

Porse puna është që Halabi ka jetuar në liri të plotë gjatë disa vjetëve të fundit – në Austri.

Bashkë me të përditshmen austriake “Der Standard”, gjermania “Der Spiegel” ka ekzaminuar me mijëra faqe dosje dhe ka folur me viktimat, njerëzit e brendshëm të regjimit dhe hetuesit. Raportimi i dy të përditshmeve ka zbuluara se si Halabi ka qenë në gjendje që të fshihet dhe të jetojë normalisht në Evropë, ani pse prokurorët në Gjermani, Suedi dhe në Francë po bëjnë përpjekje për t’i nxjerrë përgjegjësit sirianë për krime lufte përpara drejtësisë.

“Është ky një rrëfim i skandalit të pashembullt të autoritetit publik”, e ka përshkruar rastin gazeta e njohur gjermane, duke shtuar se rrëfimi demonstron se sa të shpërputhura mund të jenë interesat e agjencive të ndryshme të Inteligjencës dhe prokurorëve.

Dora e Mossadit

Image

Zyra federale austriake për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe për Kundërterrorizëm (BVT) e kishte trafikuar gjeneralin në vend gjashtë vjet më parë, me kërkesë të agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad. “Der Spiegel” ka zbardhur se prokurorët publikë në Vjenë tani kanë nisur ta hetojnë Halabin, sikurse edhe agjentët austriakë që e sollën atë në vend dhe që janë përgjegjës për mbrojtjen e tij nga persekutimi kriminal.

Debakli ka fillin në marsin e 2015-s. Katër vjet pas nisjes së luftës civile në Siri, Mossadi e pranoi një delegacion të BVT-së në Tel-Aviv. Agjentët arritën marrëveshje për një bashkëpunim skajshmërisht konfidencial midis agjencive: Operacionin “White Milk”.

Sipas dosjeve austriake të para nga “Der Spiegeli”, izraelitët thuhet se e kishin rekrutuar një “zyrtar të nivelit të lartë të Inteligjencës siriane” si informator – Khalid al-Halabi. Ish-gjenerali pretendohej të kishte “në posedim informata thelbësore mbi aparatin sirian të Inteligjencës”. Dhe kësisoj ishte shumë i rëndësishëm.

Halabi, siç pretendohej nga një agjent i BVT-së, fillimisht ishte vendosur në Francë. Por aty kishte “probleme në komunikim” me agjencinë franceze të Inteligjencës, andaj Mossadi kërkonte që ai të dërgohej në Austri.

“Në realitet, një tjetër problem mbase po i ndërlikonte punët: Agjencia franceze e azilit kishte ngritur dyshime se Halabi ishte përgjegjës për një sërë shkeljesh serioze të të drejtave të njeriut në Siri”, ka shkruar gazeta gjermane. Kësisoj nevojitej një plan B.

Prioritet i Izraelit ishte që një i ikur i nivelit të lartë të mbrohej nga armiku i tij i përbetuar, Siria. Porse Austria kishte një agjendë tjetër. BVT-ja ka një nam goxha të zi mes botës së Inteligjencës dhe agjencia e pa si mundësi t’i dalë krah njërës prej agjencive më të mira të shërbimit sekret në botë.

“Po qe se një partner i fuqishëm si Mossadi do ta kërkonte një favor, BVT-ja nuk do të thoshte jo”, ka specifikuar “Spiegeli”.

Sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta, agjentët e Mossadit e nxorën Halabin në mënyrë sekrete nga Franca më 13 korrik, para se të hynin në Austri nëpërmjet pikëkalimit të dikurshëm kufitar Gjermani-Austri në Walserberg, afër Salzburgut. BVT-ja fillimisht e vendosi atë në një hotel në lagjen “Schwechat” të Vjenës dhe e shoqëroi dy ditë më vonë për dëgjimin e tij të azilit. Gjatë dëgjimit, Halabi ka pretenduar se është larguar nga Siria, ngase nuk ka dashur t’i bashkohet regjimit e as rebelëve.

“Në cilindo rast do të vritesha”, ka thënë ai.

Kësisoj, “Spiegel” shkruan se Halabi u pranua në Austri si refugjat nën numrin e regjistrimit 151965848. Dhe kjo sipas gazetës ka ndodhur në kohën kur kancelari austriak, Sebastian Kurz, po e kërkonte “përfundimin e politikave të ftesës”, në kundërshtim të ardhjes së qindra e mijëra refugjatëve legjitimë nga Siria. Dhe ky mund të ishte fillimi i një miqësie të mrekullueshme midis spiunëve austriakë dhe Mossadit.

Por në janarin e 2016-s, Komisioni për Drejtësi Ndërkombëtare dhe Llogaridhënie (CIJA), një iniciativë kjo kërkimore, i kontaktoi zyrtarët në Vjenë. Ata thanë se posedojnë informata, sipas të cilave një i dyshuar për krime lufte ndodhej në Austri dhe kërkuan një takim.

“Loja e pistë”

Fundin e 2015-s, “Speiegel” specifikon se hetues të CIA-s amerikane arritën ta gjenin vendndodhjen e Halabit në Vjenë nëpërmjet profilit të tij në Skype. Por kur dy përfaqësues të CIA-s udhëtuan në Austri janarin e 2016-s, një gjë e pazakontë ndodhi. Gjatë takimit me dy delegatë të Ministrisë së Drejtësisë, dy agjentë të BVT-së ishin po ashtu të pranishëm. Ata ishin të shqetësuar se maskimi i bashkëpunimit të tyre strikt konfidencial me Mossadin, Operacioni “White Milk”, do të demaskohej.

“Ishte tejet e pazakontë”, thotë për gazetën gjermane Chris Engels, drejtor i CIA-s dhe pjesëmarrës i takimit. “Krijohej përshtypja se ata nuk e kishin kurrfarë interesimi për rastin”.

Mirëpo më vonë ai arriti ta kuptojë “lojën e pistë” që po luhej në Vjenë.

“Për tre vjet, BVT-ja nuk u kishte treguar prokurorëve austriakë se e kishin sjellë Halabin në vend dhe po i ofronin asistencë”, ka shkruar “Der Spiegel”.

Dhe për ta zbardhur rastin, Engelsi u ka treguar gjithçka që di lidhur me Halabin zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë në Vjenë.

“Në vende të tjera, ata do të emocionoheshin”, ka thënë ai. Porse i këtillë thotë të mos ketë qenë rasti me zyrtarët austriakë, pasi që ata ishin të rezervuar dhe pretendonin se materiali nuk ishte i mjaftueshëm për t’i bindur.

Rasti i Halabit është çuar përpara vetëm në verën e 2018-s, falë presionit të jashtëm. Franca paraqiti kërkesë ligjore nëpërmjet “Europolit” për hetimin e vendstrehimit të tij dhe kjo kërkesë u shkoi të gjitha vendeve anëtare, përfshirë Austrinë. Franca bëri të ditur se Halabi dhe zyrtarët nën kontrollin e tij ishin përgjegjës për tortura me anë të goditjeve me elektro-shok dhe abuzime të tjera në Rakë. Kjo gjë, sipas “Spiegelit”, alarmoi zyrtarët austriakë të sigurisë.

Kësisoj, tetorin e 2018-s Inteligjenca vendore i dha fund bashkëpunimit sekret me izraelitët që refuzuan të komentonin lidhur me rastin, kur u kontaktuan nga gazeta. Pak kohë më vonë, ish-gjenerali sirian u zhduk pa gjurmë. Banesa e tij u gjet e plaçkitur.

Por “Der Spiegel” dhe “Der Standard” kanë zbuluar se Halabi edhe pas kësaj, dhe akoma, jeton në Vjenë. Ai ka siguruar shërbimet e një avokati mbrojtës.

Organizatat Joqeveritare në Gjermani, Austri dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkohë kanë mbledhur dëshmi të tjera inkriminuese dhe kanë gjetur dëshmitarë shtesë në rastin kundër sirianit.
“The Open Society Justice Initiative” (OSJI), me seli në New York ka prezantuar bashkë me organizatën vjeneze CEHRI, 19 viktima të torturës, të gatshëm të flasin kundër Halabit në gjykatë.

Njëri prej tyre është Obada Alhmada, mjek që tani jeton në Gjermani. Ai ende i kujton sikur të kishin ndodhur dje torturat që i kishte përjetuar në Rakë.

Duke folur nëpërmjet telefonit, Alhmada ka thënë për “Spiegelin” se ishte mbërthyer nga pesë apo gjashtë njerëz të regjimit dhe ishte rrahur keqas.

“E vërteta duhet të dalë në shesh”, thotë ai.

Mirëpo prokurorët në Vjenë ende nuk kanë ngritur aktakuzë edhe pas pesë vjetësh hetime.

“Për shkak të aspekteve të huaja dhe vështirësive për të gjetur dëshmitarë relevantë, rasti është skajshmërisht i ndërlikuar”, ka bërë të ditur zyra e prokurorëve kur është kontaktuar nga gazeta për ta komentuar rastin.

Austria ndërkohë ia ka revokuar Halabit statusin e azilit. Por avokatët e tij e kanë apeluar vendimin. Deri më sot, gjenerali i Assadit vazhdon të jetë një burrë i lirë. \ Der Spiegel

Përgatiti: Nita Lleshi