Botë

Shurupi i vdekjes

Shurupi toksik i kollës, i prodhuar dhe i shitur në Indi, mund të ketë qenë fillimi i valës botërore të helmimit. Disa nga prodhuesit e barnave madje nuk mundën të vërtetonin nëse i kishin testuar produktet e tyre. Prindërit e fëmijëve të ndjerë janë ende në pritje të drejtësisë

(Reuters) - Në dhjetor të 2019-s, djali dymuajsh i Jafar Dinit, Irfani, po kollitej dhe kishte ethe. Dini u nis nga shtëpia e tyre njëdhomëshe në malet Himalaje dhe udhëtoi 10 kilometra për në farmacinë më të afërt, ku bleu një shishe me shurupin “Coldbest-Pc”. Ai u kthye në shtëpi dhe i dha të birit një lugë shurup.

Disa orë më vonë, Irfani filloi të villte. Nuk e kryente as urinën. Më pas u shtrua në spital në qytetin Jammu. Një javë më vonë, vdiq.

Irfani ishte një nga të paktën 16 fëmijët që autoritetet në rajonin verior të Indisë të Jammus dhe Kashmirit zbuluan se ishin helmuar. Dymbëdhjetë prej tyre vdiqën pasi veshkat dhe organet e tjera të tyre nuk funksiononin, sipas policisë, ndërsa katër të tjerë mbetën me pasoja të rënda.

Hetimet nga policia dhe inspektorët shtetërorë vunë në dukje barnat e prodhuara nga prodhuesi “Digital Vision Pharma”. Biznesi familjar ka bazën në shtetin fqinj të Himachal Pradesh, qendër e industrisë farmaceutike të Indisë dhe prej më të mëdhave për prodhimin e barnave në Azi.

Analizat qeveritare të shurupeve që morën fëmijët, të prodhuara nga “Digital Vision”– si dhe mostrat e marra nga fabrika e kompanisë dhe distributori i saj në fillim të vitit 2020 – zbuluan se ato përmbanin një përqendrim prej 34% të toksinës dietilen glikol (DEG), sipas aktakuzës kundër pronarëve të “Digital Vision” dhe raportit hetimor të rregullatorit të barnave në Jammu dhe Kashmir.

Përbërja e shurupit

Ky përqendrim është shumë më i lartë se nivelet e sigurta për DEG-in, tretës industrial që përdoret në vajin e frenave të makinave. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se kufiri i sigurt, bazuar në standardet e pranuara ndërkombëtarisht, nuk është më shumë se 0.10%.

“Digital” në anën tjetër ka thënë se nuk kishte DEG në shurupin e saj. Por kompania nuk ka ofruar asnjë provë për ta mbështetur këtë.

OBSH-ja tha për Reutersin se vdekjet në Jammu mund të kenë qenë fillimi i një vale helmimesh, nga barnat e prodhuara në Indi nga tri kompani të tjera, që janë lidhur me vdekjen e 141 fëmijëve në Gambi, Uzbekistan dhe Kamerun gjatë vitit të kaluar. Ato janë pjesë e një prej episodeve më të mëdha të një helmimi të tillë.

Në të tri rastet u zbulua se shurupet përmbajnë nivele të larta të DEG-it dhe një kimikat të ngjashëm, etilen glikol (EG). OBSH-ja ka shtuar se të paktën 15 vende mund të kenë pasur në shitje shurupe toksike, të prodhuara nga kompani të ndryshme.

Numri i lartë i helmimeve ka çuar në hetime penale, padi dhe një rritje të kontrollit rregullator në Indi dhe jashtë saj. Rregullatorët indianë kanë kryer një valë inspektimesh këtë vit duke gjetur shkelje të mundshme në rreth 160 fabrika të synuara.

Megjithatë, pavarësisht nga lobimi intensiv në emër të familjeve të fëmijëve në Jammu, askush nuk është shpallur ende fajtor për vdekjet e shkaktuara nga shurupi i kollës.

Analiza e të dhënave gjyqësore dhe dosjeve rregullatore të Reautersit - si dhe intervistat me dy drejtues të kompanisë dhe dy rregullatorë - tregojnë se prodhuesit e barnave të lidhura me vdekjet e fëmijëve në Indi, Uzbekistan dhe Gambi ose nuk i testuan produktet e tyre për toksina të njohura, ose nuk mundën t’u japin mjaftueshëm fakte hetuesve se ata e bënë këtë - siç kërkohet nga ligji indian.

Ministria e Shëndetësisë e Indisë, zyra e kryeministrit dhe rregullatori federal i barnave, Organizata Qendrore e Kontrollit të Standardeve të Barnave (CDSCO), nuk iu përgjigjën kërkesave për koment për këtë artikull.

Tre prodhuesit e barnave – “Digital Vision”, “Marion Biotech” dhe “Maiden Pharmaceuticals” – të implikuar në rastet në Indi, Uzbekistan dhe Gambi kanë thënë se kishin blerë përbërës kimikë me cilësi farmaceutike. Por Reutersi zbuloi se këto pretendime ishin mohuar ose vënë në dyshim nga vetë furnizuesit e kimikateve në të tri rastet.

Raportimi i Reutersit tregoi gjithashtu se si dy nga kompanitë tashmë ishin nën vëzhgim për praktikat e dobëta të prodhimit.

Agjencia e lajmeve zbuloi gjithashtu se “Digital Vision” dhe njësia e saj “Orison Pharmaceuticals” kishin pranuar të paktën 16 paralajmërime nga rregullatorët e barnave të shteteve Maharashtra dhe Gujarat në lidhje me urthin, antibiotikët, barnat kundër mykut dhe barnave të tjera, para vdekjeve në Jammu.

Dhe drejtuesit e lartë të kompanisë, të lidhur me vdekjet nga shurupi i kollës në Gambia - Maiden Pharmaceuticals - u liruan me kusht për akuzat e ruajtjes së paligjshme të barnave nën standarde kur ndodhën helmimet afrikane.

Shtatë drejtues dhe rregullatorë farmaceutikë indianë i thanë Reutersit se është praktikë e zakonshme midis disa prodhuesve atje që të zëvendësojnë përbërës më të lirë, të kategorisë komerciale kur bëjnë shurupe kundër kollës. Ata refuzuan të identifikonin ndonjë prej kompanive.

Policia në Jammu dhe Kashmir, në dhjetor, akuzoi themeluesin e “Digital Vision”, Parshottam Goyal, dhe djemtë e tij Manic dhe Konic për krime – të krahasueshme me vrasjen nga pakujdesia – në lidhje me helmimet, sipas fletakuzës së dorëzuar në gjykatë, në qytetin Ramnagar.

Akuzat parashikojnë dënimin e mundshëm me burgim të përjetshëm. Goyals mohojnë çdo keqbërje.

“Ne do të sfidojmë çdo rast që ngrihet kundër nesh”, i tha Goyal Reutersit përpara seancës së ardhshme dëgjimore për çështjen. I pyetur për toksinën dhe vdekjen e fëmijëve, ai shtoi se dikush mund të ketë “planifikuar diçka” ose se barnat mund të jenë keqpërdorur. “Kush e di se çfarë i është dhënë kujt”, tha ai.

Konic Goyal nuk pranoi të komentojë; Reutersi nuk mundi të kontaktonte vëllain e tij, Manic. Hetuesit policorë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment në lidhje me rastin.

Një gjykatë në Himachal mbështeti apelin e “Digitalit”, në gusht të vitit 2020, kundër pezullimit të licencës së prodhimit nga rregullatori shtetëror i barnave pesë muaj më parë, duke vënë në dukje se vetëm një pjesë e shurupit të tij, COLDBEST, përmbante toksina - ngarkesa që u shit në Jammu.

Gjykata e ndaloi “Digital Vision” të prodhonte barna që përmbajnë përbërës të caktuar dhe çështja përfundoi pa një vendim përfundimtar se kush ishte fajtori për vdekjet në Jammu.

I pyetur nga Reutersi për ndikimin e rasteve ligjore, Goyali theksoi se biznesi i “Digital Vision” ishte “i stabilizuar” dhe “i zgjeruar”. “Digital” ka trefishuar kapacitetin e tij për të prodhuar barna të tjera, shtoi ai, dhe një kompani tjetër që ai zotëron e që prodhon barna, duke përfshirë antibiotikë dhe pika për sy, filloi t’i eksportonte ato vitin e kaluar.

Image

“Pikënisja”

Rreziqet e paraqitura nga DEG-i dhe EG-i janë të njohura. Toksinat kanë lënë të vdekur rreth 1 mijë fëmijë në mbarë botën gjatë 80 vjetëve të fundit, sipas Kalle Hoppu, një ekspert finlandez i helmeve dhe barnave pediatrike, i cili ka punuar me qeverinë e Gambisë për të hetuar vdekjet e fëmijëve atje.

Shurupet e kollës dhe të ftohjes bëhen me glikol propilen (PG), një lëng i pangjyrë, që nuk reagon me substanca të tjera, duke e bërë atë një tretës ideal për shurupet. Në përgjithësi shitet në dy klasa: farmaceutike dhe industriale.

PG-ja e klasës industriale - e përdorur gjerësisht në detergjent të lëngshëm, antifriz, bojëra ose veshje - është gjithmonë më e lirë se versioni farmaceutik. Kjo është pjesërisht, sepse nuk është menduar për konsum njerëzor dhe mund të përmbajë më shumë DEG ose EG.

Çmimet për klasën farmaceutike PG në Indi u rritën disa herë në vitet e fundit për shkak të ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit, sipas ChemAnalyst, një gjurmues i tregut të kimikateve me bazë në Mumbai.

Një përqendrim DEG prej 34% – niveli i identifikuar në shurupin e kollit të “Digital Vision” – ka të ngjarë t’i sëmurë fëmijët shumë shpejt nëse marrin disa doza, duke i vënë ata në rrezik të vdekjes, ka shpjeguar nefrologu konsulent britanik, Dr. Graham Lipkin.

Simptomat fillestare përfshijnë marramendje dhe të vjella. Pa trajtim, pacientët mund të pësojnë dëmtim akut të veshkave. Pastaj organet e tjera mund të infektohen, të fillojnë të gjakderdhin dhe të dështojnë, ka shtuar ai.

OBSH-ja ka bërë të ditur se mësoi për helmimet e vitit 2019 në Jammu dhe Kashmir vetëm pasi filloi të ndihmonte Gambinë të hetonte vdekjet e saj vitin e kaluar. Agjencia shëndetësore e OKB-së e ka lidhur vdekjen e të paktën 70 fëmijëve në vendin e Afrikës Perëndimore me shurupet e kollës të prodhuara nga “Maiden Pharmaceuticals”.

“Maiden”, fabrika e së cilës gjendet në shtetin verior të Haryanas, mohon çdo keqbërje. Ajo nuk iu përgjigj kërkesave për koment për këtë histori.

Rutendo Kuwana, drejtuesi i ekipit të OBSH-së për incidentet me barna nën standarde dhe të falsifikuara, ka thënë se helmime të tilla priren të grumbullohen së bashku. Agjencia dyshon se përqindja e lartë e toksinave ndodhi kur dikush filloi të përdorte përbërës më të lirë, toksikë diku përgjatë zinxhirit të furnizimit farmaceutik.

“Ka të ngjarë që (Jammu) të jetë pika juaj fillestare për valën globale”, ka thënë Kuwana për Reutersin. Kërkohen testime të mëtejshme dhe dokumente për të qenë të sigurt, shtoi ai.

Vazhdon.

Përktheu: Forca Jashari