Turmat e afganëve janë shtuar gjatë së shtunës përreth mureve të aeroportit të fortifikuar, duke nxitur shtypjen e disa prej tyre nën panik. Ushtarët britanikë janë shtrënguar t’u ofrojnë ndihmë të lënduarve nga shtypja dhe kanë mbuluar trupat e atyre që kishin vdekur si pasojë e lëndimeve. Nuk është bërë i ditur numri i të vdekurve me këtë rast. Por, për t’i parandaluar vdekjet dhe lëndimet e mëtejme, trupat i tërhoqën njerëzit nga turmat dhe u ofruan ujë për t’u freskuar
Ushtarët britanikë që tërheqin njerëz nga turma kaotike midis disa trupave të pajetë mbuluar me çarçafë të bardhë. Shtypje, dehidrim dhe tmerrim.
Pamje të tilla nga zona përreth aeroportit të Kabulit në Afganistanin e kontrolluar prej talebanëve janë shfaqur të shtunën në fokusin e kamerës së televizionit amerikan “Sky News”, duke e portretizuar përpjekjen e dëshpëruar dhe kaotike të qytetarëve për ikje.
Turmat e afganëve janë shtuar gjatë së shtunës përreth mureve të aeroportit të fortifikuar, duke nxitur shtypjen e disa prej tyre nën panik. Ushtarët janë shtrënguar që t’u ofrojnë ndihmë të lënduarve nga shtypja dhe kanë mbuluar trupat e atyre që kishin vdekur si pasojë e lëndimeve. Nuk është bërë i ditur ende numri i të vdekurve me këtë rast. Por, për t’i parandaluar vdekjet dhe lëndimet e mëtejme, trupat i tërhoqën njerëzit nga turmat dhe u ofruan ujë për t’u freskuar.
Krejt kjo ka ndodhur në kohën kur janë adresuar thirrje për përshpejtimin e evakuimit të organizuar të stafit ndërkombëtar dhe afganëve që u kanë ndihmuar atyre gjatë 20 vjetëve të angazhimit në vend.
Kërcënimet për siguri
Mirëpo kërcënimet potenciale nga Shteti Islamik ndaj amerikanëve në Afganistan kanë shtrënguar ushtrinë amerikanë që të vihet në kërkim të mënyrave të reja për t’i orientuar njerëzit drejt aeroportit në Kabul, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë amerikan të shtunën.
Zyrtari ka bërë të ditur se grupe të vogla amerikanësh dhe potencialisht civilësh të tjerë do të marrin udhëzime specifike se çfarë të bëjnë, duke përfshirë edhe lëvizjen drejt pikave transitore ku mund të priten nga ushtria. Zyrtari ka folur nën kushtin e anonimitetit, pasi nuk ka qenë i autorizuar për t’i shpalosur operacionet.
Ndryshimi në plan ka ndodhur pasi Ambasada amerikane ka lëshuar një paralajmërim të ri sigurie, duke i udhëzuar shtetasit e saj që të mos nisen drejt aeroportit pa udhëzime individuale nga përfaqësuesit e qeverisë. Zyrtarët nuk kanë pranuar të ofrojnë hollësi më të shumta rreth kërcënimit nga ISIS-it, por e kanë përshkruar atë si domethënës.
Pas SHBA-së, edhe Gjermania ka paralajmëruar shtetasit e saj kundër nisjes drejt aeroportit.
Ambasada gjermane ka paralajmëruar nëpërmjet një emaili se talebanët po zbatojnë kontrolle përherë e më strikte përreth aeroportit.
Një zyrtar taleban, duke folur për agjencinë Reuters, ka thënë se rreziqet për sigurinë nuk mund të përjashtohen, por ka shtuar se grupi “synon ta përmirësojë situatën dhe të sigurojë kalime të lehta” për qytetarët që përpiqen të ikin nga vendi gjatë fundjavës.
Talebanët ende nuk e kanë konsoliduar përbërjen e qeverisjes së tyre ndërsa bashkëthemeluesi i grupit, Mullah Baradar, ka mbërritur në Kabul për bisedime me liderët e tjerë.
Avancimi i rrufeshëm i grupit përreth vendit në kohën e tërheqjes së trupave amerikane konsiston me atë që kancelarja gjermane, Angela Merkel, e përshkroi të shtunën si “rënie befasuese” e ushtrisë afgane, duke nxitur frikë për reprezalje dhe kthim në sundimin e ligjeve strikte islamike si gjatë kohës kur talebanët ishin në pushtet dy dekada më parë.
Vazhdimi i evakuimeve
Midis kaosit të krijuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë evakuuar 2.500 amerikanë nga Kabuli gjatë javës së shkuar.
Presidenti Joe Biden ka thënë se nuk mund ta parashikojë rezultatin e operacionit, të cilin e quajti si njërin prej “misioneve më të vështira ajrore në histori”.
Edhe shtetet evropiane kanë vazhduar largimin e qytetarëve, me ç’rast Franca ka evakuuar më shumë se 570, Gjermania pothuajse 2 mijë, ndërsa Italia rreth 1 mijë.
Megjithëkëtë, ngjarjet e gjashtë ditëve të pas-rënies së Afganistanit në duart e talebanëve kanë shpërfaqur hezitimin e disa vendeve evropiane për hapjen karshi afganëve.
Nga frika e vërshimit nga refugjatët, Greqia ka instaluar të shtunën një mur rreth 40 kilometra të gjatë dhe një sistem të vëzhgimit në kufirin e saj me Turqinë.
Veprimi është bërë pak ditë pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan në një hezitim të ngjashëm ka thënë se Turqia nuk është depo refugjatësh e Evropës.
SHBA-ja ka krijuar gjithashtu një task-forcë që do të shërbejë për asistimin e amerikanëve dhe afganëve që synojnë largimin.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar se deri më tani të paktën 13 shtete janë pajtuar që t’i pranojnë përkohësisht afganët e rrezikuar. Ata që duhet të presin për qartësimin e vendosjes në SHBA, ai ka thënë se do të orientohen drejt Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kanadasë, Kolumbisë, Kostarikës, Kilit, Meksikës, Polonisë, Katarit, Ruandës, Ukrainës dhe Ugandës. Ndërsa në këtë operacion si shtete transitore do të shërbejnë Bahrejni, Britania e Madhe, Danimarka, Gjermania, Italia, Kazakistani, Kuvajti, Katari, Taxhikistani, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistani.