Botë

Shtyhet fillimi i gjyqit ndaj Dodikut, i refuzohet kërkesa që gjykimi të mbahet në Banjallukë

Dodik

Udhëheqësit nacionalist të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i është refuzuar kërkesa që gjykimi ndaj tij të mbahet në Banjallukë, shkruan “Dnevni Avaz”.

Dodik të mërkurën u paraqit në s Gjykatën e Bosnjë-Hercegovinës në lidhje me deklaratat e tij ndaj Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt.

Ekipi i Dodikut kishte kërkuar që gjyqi të mbahej në Banjallukë, por kërkesa u refuzua.

Pasi u refuzua kërkesa, mbrojtja kërkoi të shtyhet fillimi i gjykimit, derisa të bëjë shqyrtohet ankesa në Apel.

Gjyqtari Mirsad Strika pranoi mocionin për shtyrje të gjykimit.

Dodik, që është president i zonës me shumicë serbe në Bosnjë-Hercegovinë, po vazhdon ta kundërshtojë autoritetin e Schmidtit.

Ai ka kërcënuar vazhdimisht me shkëputje të Republikës Serbe.

Dodik në deklaratat e tij sërish u tregua i pakujdesshëm, duke e quajtur Schmidtin “qelbësirë” dhe ambasadorin amerikan Michael Murphy “tregtar”.

“Një i huaj joekzistent merr disa vendime dhe ndryshon ligje, që është sulm ndaj Bosnjë-Hercegovinës, sovranitetit të saj dhe flet për dobësitë e sistemit. Mbrojtja ime ka bërë kërkesë që gjykimi të zhvendoset në Banja Llukë. Gjykata vendosi të mos e pranojë kërkesën tonë, por kemi tri ditë kohë për t’u ankuar. Për këtë arsye s’ka mundur të fillojë seanca, sepse kjo nënkupton paragjykim të procedurës së Apelit”, ka thënë Dodik, që ka shtuar se gjyqtari Strika ishte korrekt.

Ai ka akuzuar Schmidtin dhe Murphyn për “sjellje koloniale”.

Dodik ka provokuar duke ngritur tre gishta derisa është futur në veturë.

Anëtarja e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelkja Cvijanoviq, ka thënë se gjyqi kundër Dodikut dhe Millosh Lukiqit, përfaqëson një “përballje politike”.

Sipas Marrëveshjes së Dejtonit, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, me të cilën përfundoi lufta në Bosnjë në vitet 1990, Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar, në këtë rast Schmidt, mund të anulojë ligjet apo shkarkojë zyrtarët që kërcënojnë paqen.

Më shumë se 100 mijë persona humbën jetën gjatë luftës në Bosnjë nga viti 1992 deri më 1995.

Bosnja u nda në dy rajone gjysmë autonome, Republika Serbe me shumicë serbe dhe Federata Boshnjako-Kroate.

Gjyqi i të mërkurës është kulmi i një beteje që nisi kur Christian Schmidt u bë Përfaqësues i Lartë ndërkombëtarë dy vjet më parë.

Paraardhësi i tij, Valentin Inzko, vendosi kompetencat e tij të gjera vetëm një herë, në 12 vjet sa ishte në detyrë. Por, Schmidt ka treguar përkushtimin për ta vendosur autoritetin qysh në fillim dhe Milorad Dodik po ashtu ka qenë i prirë për ta sfiduar atë.

Dodik 64-vjeçar ka paraqitur një sërë ligjesh që tentonin t’i deligjitimonin institucionet kombëtare të Bosnjës në Republikën Serbe. Objektivë ato ligje kishin autoritetet tatimore, gjykatat dhe pronat shtetërore.

Po ashtu ai i ndaloi Schmidtit futjen në atë rajon, edhepse Schmidt e ka vizituar atë territor.

Nëse shpallet fajtor në këtë gjykim të paprecedentë, Dodik mund të përballet deri me 5 vjet burgim dhe të pezullohet nga politika.