Palestinezët i kanë dhënë lamtumirën të hënën shtatë nga të paktën 22 personat e vrarë nga sulmet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë dy javëve të fundit, që kur ushtria izraelite nisi një operacion në Jenin dhe zona të tjera veriore të territorit.
Teksa armëpushimi i Gazës është duke vazhduar që dy javë, Izraeli ka shtuar operacionet në Bregun Perëndimor, raporton AP.
Të dielën, ushtria ka thënë se deri më tani ka vrarë mbi 50 "terroristë".
Ministria palestineze e Shëndetësisë ka thënë se një burrë 73-vjeçar u qëllua për vdekje nga trupat izraelite në Jenin herët të dielën.
Ministria ka raportuar të hënën në mëngjes për pesë të vrarë, përfshirë një 16-vjeçar, në sulmet ajrore izraelite gjatë natës.
Ushtria ka thënë se ka vrarë dy militantë, njëri prej të cilëve ishte liruar si pjesë e armëpushimit të Gazës në vitin 2023, në një sulm ajror në një fshat afër Jeninit.
Agjencia humanitare e OKB-së javën e kaluar ka thënë se forcat izraelite kanë dëmtuar rëndë ose shkatërruar 120 shtëpi në sulmet e tyre në vazhdim dhe forcat palestineze të sigurisë kanë shkatërruar 50 të tjera.
Bregu Perëndimor ka parë një rritje të dhunës që nga fillimi i luftës në Gaza. Ka pasur gjithashtu një rritje të dhunës së kolonëve kundër palestinezëve dhe sulmeve palestineze ndaj izraelitëve.