Botë

Shteti me varësi të thellë nga droga

Vendi ishullor, Mauritius, po përballet me një epidemi droge me përmasa të pashembullta, vite pasi përdorimi dhe shitja arritën kulmin atje në vitet ‘90

Deri në fillim të vitit 2022, Gaetan (nuk përmendet emri i vërtetë) kishte jetesë të mirë me punën e tij si punëtor ndërtimi në Mauritius. Në momentin që mori një vendim të pamenduar, jeta e tij mori tatëpjetën.

Një ditë, teksa pinte një cigare me kolegët gjatë pushimit të drekës, 35-vjeçarit iu ofrua mundësia të blinte pak heroinë. Brenda disa javësh, ai po e merrte çdo ditë dozat për t’i larguar dhimbjet.

“Ai vendim më kushtoi shtrenjtë”, ka rrëfyer ai për “Al Jazeeran”. Së shpejti do t’i duhej t’i shfrytëzonte edhe kursimet e tij që i kishte fituar me shumë mund për t’i përballuar katër dozat e tij ditore. Miqtë e tij të varur nga droga, merrnin hekurin e telat e bakrit nga puna për ta shitur metalin, në mënyrë që ta vazhdojnë zakonin e tyre – praktikë e zakonshme e qytet.

Në kontrollin e varësisë për disa muaj, Gaetan e kuptoi se duhej të dilte shpejt nga kjo situatë. Por pas dy javësh që e la drogën, ai u rikthye. Përfundimisht, ai gjeti rrugën e tij në Qendrën e Trajtimit Idrice Goomany, e vendosur në zemër të Port Louisit, ku ai përfundoi një program intensiv gjashtë-mujor detoksifikimi.

Ai ende viziton çdo javë për këshillim dhe është një histori e rrallë suksesi në këtë ishull të vogël me 1.3 milionë njerëz që po shkatërrohet nga një epidemi droge me përmasa të papara. Varësia nga heroina, e cila arriti kulmin në vitet '90, ka bërë një rikthim të zhurmshëm në vend, droga u ridrejtua në brigjet e saj përmes Madagaskarit në udhëtimin e saj nga Afganistani në Afrikën Lindore dhe Jugore.

Paralelisht, sintetikët kanë zënë vend – drogat e tilla si “Black Mamba”, “Rambo” dhe “Murder” të prodhuara me kimikate nga Kina, të cilat përzihen me hollues ose pesticide dhe përzihen me çaj, duhan ose barishte, duke siguruar goditje shumë toksike për të rinjtë. “Avantazhi i sintetikës është se ato janë të lira”, ka theksuar Imran Dhanoo, drejtor i qendrës. Fëmijët e shkollës mblidhen së bashku për të blerë një hit për 100 rupi mauritiane, thotë ai.

“Sot droga është problemi numër një i vendit”, ka thënë Mario Ah-Sian, drejtor i Centre d’Accueil de Terre Rouge, qendër tjetër trajtimi që ndodhet disa kilometra larg Port Louisit. 63-vjeçari e la heroinën 23 vjet më parë dhe që atëherë i ka kushtuar jetën e tij për të ndihmuar të tjerët të çlirohen nga vuajtja. Droga ka bërë kërdi në të gjithë ishullin, duke shkaktuar një valë grabitjesh dhe sulmesh, thotë ai.

Sipas një sondazhi zyrtar të vitit 2021, rreth 55 mijë njerëz midis moshës 18 dhe 59 vjeç (7.4 për qind e asaj pjese të popullsisë) konsumojnë droga joinjektuese, duke përfshirë kanabisin, sintetikën dhe heroinën që merret nga nuhatja ose pirja sikurse duhani.

Llogaritjet u bazuan në mostra të vogla dhe jo në punë në terren, tregon Ah-Sian. Ashtu si shumë të tjerë me të cilët foli Al Jazeera, ai beson se shifrat reale janë shumë më të larta.

Epiqendra e drogës

Në Karo Kalyptus, ndikimi i tregtisë së drogës në rritje të shpejtë është i lehtë për t’u vënë re. Kjo është epiqendra e skenës së “narkove” të ishullit, zonë e shënjestruar korrikun e kaluar në një bastisje të planifikuar me përpikëri policore që nxori 77 milionë rupi mauritiane kanabis, sintetikë dhe heroinë. Në bazë të pamjes kaotike të vendit, as që mund të të shkojë nëpër mend se këtu kalojnë shumë kaq të mëdha parash.

Al Jazeera takoi tre gra vendase në Karo Kalyptus. Ato folën duke përdorur pseudonime gjersa theksuan se mërziteshin duke parë të rinjtë e tyre duke u shkatërruar nga droga. Jeta këtu është e vështirë, rrëfen Marie, e cila lan rrobat për bukën e gojës dhe vëren se shumë fëmijë nuk shkojnë në shkollë, disa kanë filluar të drogohen qysh në moshën 10-vjeçare. “Ena zanfan inn fini andan”, thotë ajo, në kreole – “Ka fëmijë të cilëve u është shkatërruar brendësia”. Në fillim të këtij viti, ajo u ndesh me një burrë të vdekur në rrugë, për të cilin beson se kishte vdekur nga mbidoza.

Image

Claudine, një tjetër nga gratë, thotë se metakristali dhe një produkt i ri i quajtur “ladrog zombi”, që i fut përdoruesit në gjendje pa vetëdije, po bëhen gjithnjë e më të përhapura në treg. Emri i ilaçit të fundit dhe përshkrimi i efekteve të tij duket se përputhet me raportet e fundit të ksilazinës së qetësuesit të kafshëve që mbërriti në Reunionin fqinj.

Vendasit këtu janë të punësuar si vëzhgues. Ata fitojnë 1.500-2.000 rupi në ditë, pako relativisht fitimprurëse në një vend ku shumë luftojnë me një pagë minimale prej 15 mijë rupi në muaj në mes të një krize të kostos së jetesës. Shpesh, vëzhguesit marrin njoftim paraprak për vizitat e policisë, ndonjëherë deri në dy orë. “Dikush nga brenda po u jep atyre informacionin”, ka treguar Claudine.

“Nuk ka vullnet politik”

Në vitin 2018, një komision hetimor i emëruar nga shteti ka gjetur prova të qarta të ndikimit të mafisë mbi një sërë banorësh, përfshirë policinë, rojat e burgut, avokatët, zyrtarët e doganave dhe politikanët. Ai këshilloi që Njësia Kundër Drogës dhe Kontrabandës së vendit (ADSU), e gjykuar si shumë e dobët për t’u reformuar, të çmontohej. Pesë vjet më vonë, ADSU ende funksinon, ndikimi i saj u përforcua nga krijimi i një force plotësuese të quajtur Ekipi Special i Goditjes (SST) i përbërë nga ish- zyrtarë nga radhët e ADSU-së.

Teksa zgjedhjet e vitit të ardhshëm po afrohen, qeveria e kryeministrit Pravind Jugnauth ka rritur luftën e saj kundër drogës me tabela të shumta që shkruajnë “Unis Contre la Drogue - Të bashkuar kundër drogës”. Por, kritikët pretendojnë se SST-ja është një mjet politik i Lëvizjes Socialiste Militante të Jugnauth (MSM), duke vënë në pikëpyetje sinqeritetin e Lëvizjes. Zyrtarët kanë arrestuar objektiva të profilit të lartë, duke përfshirë avokatin, Akil Bissessur dhe aktivistin Bruneau Laurette, i njohur për mbrojtjen kundër brutalitetit të policisë dhe ndikimit të narkotikëve, me akuza të përkohshme për trafik droge ose mashtrim.

Qeveria gjithashtu akuzohet për mbrojtjen e trafikantit më të madh të ishullit. Jean-Hubert Célerine, i njohur ndryshe si Franklin, u dënua me shtatë vjet burg për trafikim ndër-ishullor nga autoritetet në Reunion fqinj në vitin 2021.

Megjithatë ai mbetet në Mauritius, ku aktualisht po hetohet për pastrim parash. Aq i ulët është besimi i publikut tek qeveria, saqë shumë dyshojnë se hetimi është ngritur për ta vonuar ekstradimin e mbretit. “Nëse ai flet, shumë drejtues të lartë do të rrëzohen”, thotë Ally Lazer, punonjës social veteran, i cili ka zhvilluar një fushatë dekadash kundër drogës në ishull.

“Nuk ka vullnet politik për ta luftuar mafinë e drogës”, ka theksuar Nando Bodha, ish-sekretar i përgjithshëm i MSM-së në pushtet, i cili u largua nga partia pasi pa nga afër rënien e saj drejt autokracisë. Tani me Linion Moris, një aleancë shumëpartiake, ai dëshiron ta riparojë një sistem që ai beson se është i korrupsionit. “Gjithnjë e më shumë, ne po kthehemi në një ekonomi narko”, thotë ai. “Paratë e drogës përfshihen në gara me kuaj, baste, kazino dhe biznese me pakicë. Kingpins kanë depërtuar në sistemin gjyqësor dhe ligjor”.

“Al Jazeera” kontaktoi Shërbimin Informativ të Qeverisë për një intervistë, por nuk mori asnjë përgjigje.

Teksa droga po përfshihet edhe më shumë në strukturën e jetës së përditshme, vendi po rishikon trajtimin e tij ndaj të varurve, duke u larguar nga politikat represive të dikurshme. Tani për tani, qeveria po ngre një panel për të përcjellë përdoruesit në fazat e ndryshme të rimëkëmbjes – nga rehabilitimi tek riintegrimi. Është një veprim i mirëpritur nga Dhanoo i cili dëshiron të shohë më shumë të varur në qendrat e trajtimit, sesa në burg.

Mirëpo, derisa të trajtohet ndikimi i narkove, problemi nuk do të largohet së shpejti. Gaetan kujton se sa e lehtë ishte t’u shmangeshe zyrtarëve të ADSU-së në Baie du Tombeau kur ai po blinte doza “kafeje”, siç njihet në vend heroina. “Ishin rreth katër nga pesë tregtarët në zonë. Të gjithë e dinin se ku ishte policia”, thotë ai.

Përktheu: Blerta Haxhiu