Botë

Shtëpia e Bardhë: Trumpi mund ta rikthejë ndihmën për Ukrainën nëse bisedimet përparojnë

Mike Waltz

Mike Waltz

Foto: Associated Press

Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Mile Waltz, ka deklaruar të mërkurën se bllokada e ndihmës amerikane mund të hiqet nëse bisedimet me Ukrainën përparojnë.

“Presidenti Donald Trump do të konsiderojë rikthimin e ndihmës për Ukrainën nëse organizohen bisedimet e paqes dhe merren masa për ndërtimin e besimit”, është shprehur Waltz, raporton Reuters.

“Unë mendoj se nëse ne mund të shkojmë drejt këtyre negociatave, dhe në fakt, të vendosim disa masa për ndërtimin e besimit në tavolinë, atëherë presidenti do të shqyrtojë me kujdes heqjen e kësaj pauze”, ka thënë Waltz në një intervistë për Fox News.

Të martën është raportuar se Trumpi ka vendosur të pezullojë ndihmën ushtarake për Ukrainën.

Vendimi ka ardhur pak ditë pas një debati të tensionuar ndërmjet tij dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, më 28 shkurt.