Botë

Shtëpia e Bardhë propozon shkurtime drastike të buxhetit për DASH-in, NATO-n e të tjera

trump

Foto: Associated Press

Zyra për Menaxhim dhe Buxhet e Shtëpisë së Bardhë ka propozuar shkurtimin e buxhetit të Departamentit të Shtetit për gati 50%, mbylljen e një numri të misioneve diplomatike jashtë, zvogëlimin e stafit diplomatik dhe eliminimin e fondeve për pothuajse të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, shumicën e agjencive të saj dhe selitë e NATO-s.

Propozimi, i cili iu propozua Departamentit të Shtetit javën e kaluar dhe është ende në fazën preliminare, nuk pritet të kalojë as në Departament dhe as në Kongres, të cilit i kërkohet në fund të votojë buxhetin federal në muajt e ardhshëm, raportoi AP.

Zyrtarë kanë thënë se propozimi duhet të shkojë nëpër disa faza shqyrtimi para se të arrijë të ligjvënësit, të cilët në të kaluarën kanë refuzuar kërkesat e Shtëpisë së Bardhë për buxhet.

Administrata e presidentit Donald Trump ka ndërmarrë disa lëvizje në shkurtimin e vendeve të punës dhe ndërprerjen e fondeve për shumë agjenci.