Shtëpia e Bardhë po përgatitet për atë që e quan "Dita e Çlirimit" të mërkurën, dita kur presidenti, Donald Trump planifikon të vendosë një sërë tarifash për të cilat ai premton se do ta çlirojnë SHBA-në nga mallrat e huaja.
Detajet e rundit të ardhshëm të taksave të importit të Trumpit janë ende të paqarta, raporton AP.
Gjatë një konference për shtyp të martën, sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt ka këmbëngulur se tarifat do të funksionojnë për amerikanët.
"Ato nuk janë të gabuara. Do të funksionojnë dhe presidenti ka një ekip të shkëlqyer këshilltarësh që i kanë studiuar këto çështje për dekada”, është shprehur Leavitt.
Shumica e analizave ekonomike thonë se familjet mesatare amerikane do të duhet të përtypin koston e tarifave të tij në formën e çmimeve më të larta dhe të ardhurave më të ulëta. Por Trumpi raportohet se i ka ftuar shefat ekzekutivë të kompanive në Shtëpinë e Bardhë për t’u thënë se po investojnë qindra miliarda dollarë në projekte të reja për të shmangur taksat e importit.
Është gjithashtu e mundur që tarifat të jenë jetëshkurtër nëse Trumpi arrin ndonjë marrëveshje me shtetet e tjera, pasi t'i vendosë ato.
Trumpi ka folur për taksimin e Bashkimit Evropian, Koresë së Jugut, Brazilit dhe Indisë, ndër të tjera.
Teksa ka shpallur tarifat 25% të automjeteve javën e kaluar, ai ka pretenduar se Amerika është grabitur sepse importon më shumë mallra sesa eksporton.
Presidenti republikan planifikon të taksojë barnat farmaceutike të importuara, bakrin dhe lëndën drusore. Ai ka vendosur një tarifë prej 25% për çdo vend që importon naftë nga Venezuela, edhe pse Shtetet e Bashkuara e bëjnë këtë.
Importet nga Kina po ngarkohen me një taksë shtesë prej 20% për shkak të rolit të saj në prodhimin e fentanilit.
Trumpi ka vendosur tarifa të veçanta për mallrat nga Kanadaja dhe Meksika për arsyen e deklaruar të ndalimit të kontrabandës së drogës dhe imigrimit të paligjshëm. Trumpi gjithashtu ka zgjeruar tarifat e tij të çelikut dhe aluminit në 25% për të gjitha importet.