Shtëpia e Bardhë e ka kritikuar Amazonin duke thënë se është “armiqësor” dhe “politik”, gjatë një konference për shtyp të martën për të shënuar 100-ditorin e administratës së dytë të Donald Trumpit.
Deklarata pason raportet që sugjerojnë se shitësi me pakicë në internet, së shpejti do t’u tregojë konsumatorëve se sa po i kushtojnë tarifat e Trumpit kostos së produkteve të tij, raporton BBC.
"Ky është një akt armiqësor dhe politik nga Amazon", ka deklaruar sekretarja e Shtypit, Karoline Leavitt.
Tarifat - taksat e ngarkuara për mallrat e blera nga vende të tjera, kanë qenë një çështje përcaktuese e administratës së Trumpit, pas vendimit të tij për të vendosur tarifa 145% për mallrat kineze dhe 10% për mallrat nga shumica e vendeve të tjera.
Që nga rikthimi në detyrë tre muaj më parë, Trumpi ka riformuar qeverinë amerikane me shumë veprime ekzekutive. Kritikët thonë se presidenti po i kapërcen kompetencat e tij, ndërkohë që i largon edhe aleatët ndërkombëtarë.
Por për mbështetësit e Trumpit, presidenti po përmbush premtimet e tij zgjedhore.
“Amazon” mohon se do të listonte dëmet nga tarifat e Trumpit
Zëdhënësi i “Amazon”, Tim Doyle, ka mohuar se kompania do të listonte dëmet e shkaktuara si pasojë e tarifave të presidentit amerikan, Donald Trump.
Në përgjigje të kritikave nga Shtëpia e Bardhë, e cila e ka quajtur “Amazonin” të martën “armiqësor” dhe “politik” sepse do të publikonte koston e tarifave, Doyle ka shkruar se ndonëse një gjë e tillë ishte konsideruar, ajo asnjëherë nuk është miratuar.
“Ekipi që drejton dyqanin tonë me kosto të ulët kishte në konsideratë idenë e renditjes së tarifave të importit për produkte të caktuara. Kjo nuk u miratua kurrë dhe nuk do të ndodhë”, ka thënë Doyle.