Botë

Shtatë të vdekur nga një sulm rus në një port të Ukrainës

Ukrainë

Të paktën shtatë persona janë vrarë si pasojë e një sulmi rus në një anije civile që përmbante kontenjerë, në një port në rajonin Odesa të Ukrainës, kanë bërë të ditur zyrtarët lokalë.

“Ky është sulmi i tretë në një anije civile në katër ditët e fundit”, ka deklaruar guvernatori i rajonit, Oleh Kiper, raporton BBC.

Ai ka thënë se Rusia kishte shënjestruar infrastrukturën portuale, dhe se të gjitha viktimat janë ukrainas. 

Disa të tjerë kanë mbetur të plagosur, teksa një punonjës porti ka vdekur të enjten nga plagët në një spital, ka shtuar Kiper. 

Sulmi i fundit në një nga portet e Ukrainës në bregun e Detit të Zi ka ndodhur në kohën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nisur një turne evropian, duke vizituar Londrën, Parisin dhe Romën. 

Të enjten ai është takuar me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer në Downing Street përpara se të zhvillojë bisedime me sekretarin e ri të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili paralajmëroi këtë javë se Ukraina mund të përballet me dimrin e saj më të ashpër që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në 2022.

Zelensky do të takohej edhe me presidentin e SHBA-së, Joe Biden së bashku me aleatët e tjerë perëndimorë në Berlin të shtunën, por Bideni e anuloi udhëtimin e tij për shkak të kërcënimit nga uragani Milton.

Sulmet e Rusisë gjatë natës në Ukrainë kanë lënë gjithashtu disa të plagosur në qytetin jugor të Zaporizhzhias.

Qeveria ukrainase thotë se sulmet e Rusisë në portet e Detit të Zi të Odesës kanë për qëllim përpjekjen për të shkatërruar eksportet e drithërave që garantojnë sigurinë ndërkombëtare të ushqimit.

Sipas shifrave ukrainase, më shumë se 20 anije civile janë dëmtuar deri tani në sulmet ruse që nga fillimi i luftës në vitin 2022.