Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën pasi një pjesë e një doku të anijeve është shembur të shtunën në Ishullin Sapelo në Georgia, kanë njoftuar autoritetet lokale, raporton “BBC“.
Departamenti i Georgias për burime natyrore, që operon atë dok, ka thënë se të paktën 20 persona ranë në ujë kur u shemb rruga që çonte tek anijet.
Incidenti ndodhi rreth orës 16:30 me kohë lokale të shtunën në dokun “Marsh Landing” kur turma ishte mbledhur për një festë kulturore.
Shumë persona u dërguan në spital dhe po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe bashkëshortja e tij Jill kanë shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.
Nuk dihet se çfarë shkaktoj shembjen e rrugës, që lidh pjesën e jashtme të dokut ku njerëzit hipin në traget për të shkuar në një dok tjetër në breg, thonë autoritetet lokale.
Guvernatori i Georgias, Brian Kemp, ka thënë se ai dhe familja e tij janë “zemërthyer” nga kjo tragjedi dhe është lutur për “personat që rezultojnë të zhdukur, ata që janë të lënduar si dhe për familjet e tyre”.