Në secilin shtet, procesi i votimit ka dallimet e tij. Mendohet se janë shtatë shtete në të cilat ende s’dihet kush do të dalë fitues, e gara e hapur në to e ka bërë të nxehtë përballjen e sivjetme. Këtë vit, është herët për të dalë në përfundime, mirëpo nëse nuk ka garë të ngushtë, rrjete të tilla si CNN-i, mund të projektojnë fituesin që natën e zgjedhjeve. Kjo pritet të shihet.
Sipas ligjit amerikan, zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen çdo katër vjet. Këto zgjedhje të përgjithshme, që nga viti 1845, kërkohet të zhvillohen të martën e parë të muajit nëntor. Këtë vit, dita e zgjedhjeve i bie të jetë 5 nëntori.
Shtetet i mbikëqyrin vetë proceset e tyre të votimit, që do të thotë se koha e hapjes së qendrave të votimit ndryshon nga shteti në shtet. Qendrat e para të votimit, në disa qarqe në Indiana dhe Kentucky, mbyllen në ditën e zgjedhjeve në orën 18:00 me orë lokale, ndërsa qendrat e fundit të votimit mbyllen në orën 1 të mëngjesit me orë lokale, të mërkurën, 6 nëntor, në Alaska.
Miliona amerikanë votojnë edhe më herët, personalisht ose edhe përmes postës.
Pse dita e zgjedhjeve zgjat më shumë se një ditë?
Në secilin shtet, procesi i votimit ka dallimet e tij. Votimi, si në shtetin e Washingtonit, Oregonit dhe Utahs, kryhet pothuajse tërësisht me postë, proces ky që zgjat me javë të tëra.
Çdo shtet ka në dispozicion edhe votimin e hershëm, i dedikuar për personat të cilët nuk mund të shkojnë në qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve, duke siguruar kështu që të gjithë ta kenë mundësinë që të votojnë.
Kush janë kandidatët për president këtë vit?
Nga radhët e demokratëve, këtë vit, mandatin për presidente e synon zëvendëspresidentja Kamala Harris, e cila kandidon bashkë me guvernatorin e Minnesotas, Tim Walz, me këtë të fundit që synon postin e zëvendëspresidentit.
Ish-presidenti, Donald Trump, do të rikandidojë për president nga radhët e republikanëve, bashkë me senatorin e Ohios, JD Vance.
Ka edhe kandidatë të tjerë dhe opsionet ndryshojnë varësisht nga shteti. Chase Oliver i Partisë Libertariane dhe Jill Stein i Partisë së Gjelbër, janë disa nga kandidatët, të cilët janë opsion për shumicën e shteteve.
Mirëpo, për ta përgjithësuar, shumica dërrmuese e amerikanëve pritet të votojnë për Harrisin ose Trumpin.
Pse Trump dhe Harris janë kandidatët kryesorë?
Dy partitë kryesore, Republikane dhe Demokrate, zhvilluan në fillim të vitit garën mes anëtarëve të partisë së tyre, për t’u nominuar si kandidatë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Përkundër faktit se shumë republikanë nuk përkrahën Trumpin pas sulmit në Kapitol si revoltë ndaj humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2020, ish-presidenti ia doli prapë që të jetë kandidati republikan për president këtë vit. Këto janë zgjedhjet e treta radhazi, ku Trumpi zyrtarizohet si kandidat nga radhët e republikanëve.
Për demokratët, presidenti Joe Biden dominoi garën dhe u përball vetëm me kundërshtime simbolike. Por shqetësimet për moshën e Bidenit – 81 vjeç – dolën në pah. Pas një debati në qershor, Bideni rezultoi të jetë i dobët kundrejt Trumpit, duke bërë që presidenti të pranojë presionin dhe të largohet nga gara për president, përpara mbajtjes së konventës së demokratëve.
Mbështetja e Bidenit për Kamala Harrisin, zëvendëspresidenten e tij, qe shtysë që ajo të zgjidhej kandidate për presidente nga radhët e demokratëve. Madje asnjë demokrat nuk e sfidoi atë në konventën e gushtit.
Kur do të dihet fituesi?
Kjo mund të marrë pak kohë.
Në vitin 2020, CNN-i nuk doli me emrin e fituesit deri katër ditë pas ditës së zgjedhjeve. Shumë shtete ishin në garë të ngushtë atë vit.
Në 2016-n, një ditë pas ditës së zgjedhjeve, ndonëse numërimi i votave zhvillohej ende në shumë shtete, Hillary Clinton pranoi se nuk do ta fitonte garën.
Trump nuk ka gjasa që ta pranojë ndonjëherë humbjen.
Nëse në shtetet kyçe zhvillohet garë e ngushtë, mund të duhen ditë të tëra për ta përcaktuar fituesin. Lajmi i mirë është se shumë shtete kanë bërë ndryshime që nga viti 2020, duke lehtësuar përpunimin e fletëvotimeve me postë, të cilat kërkojnë më shumë kohë për t’u numëruar.
Në vitin 2000, për shkak të garës më të ngushtë në historinë e Shteteve të Bashkuara, fituesi u bë i ditur vetëm 36 ditë pas zgjedhjeve, kur Gjykata e Lartë e SHBA-së përfundoi rinumërimin e votave në Florida.
Këtë vit, është herët për të dalë në përfundime, mirëpo nëse nuk ka garë të ngushtë, rrjete të tilla si CNN-i, mund të projektojnë fituesin që natën e zgjedhjeve. Kjo pritet të shihet.
Cilat janë çështjet kryesore, me të cilat përballen amerikanët?
Njëra prej çështjeve kryesore, për të cilën amerikanët kërkojnë zgjidhje, është kostoja e jetesës. Çmimet u rritën pas pandemisë Covid-19 dhe Trumpi po shikon të përfitojë nga nostalgjia që njerëzit kanë, për vitet kur kostoja e produkteve ushqimore ishte më e ulët. Plani i tij për të vendosur tarifa të përgjithshme për mallrat e huaja mund të rrisë më tej çmimet, sipas ekonomistëve, por bazuar në sondazhe, Trumpi del të ketë avantazh ndaj Harrisit në fushën e ekonomisë.
Përkrahësit e Trumpit janë gjithashtu të motivuar nga politika që ish-presidenti kultivon për imigracionin. Ai ka premtuar të deportojë miliona emigrantë që kanë kaluar kufirin ilegalisht dhe ta mbyllë kufirin e SHBA-së.
Për votuesit e Harrisit, çështja e abortit është thelbësore. Pasi Gjykata e Lartë, me një të tretën e gjyqtarëve të emëruar nga Trumpi, përmbysi çështjen Roe v. Wade, Harrisi i ka cilësuar të drejtat riprodhuese si çështje të lirisë personale dhe është zotuar t’i mbrojë ato të drejta.
Ekziston edhe çështja kyçe e demokracisë. Trumpi u akuzua nga Departamenti i Drejtësisë për ndërhyrje në zgjedhje pasi u përpoq të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
Trumpi u shpall fajtor edhe për akuza të tjera në Nju-Jork, lidhur me pagesat në këmbim të heshtjes, përpara zgjedhjeve të 2016-s. Dënimi i tij është caktuar të zyrtarizohet në fund të nëntorit, që do të thotë, pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Megjithatë, akuzat e tij për krime, apo edhe mundësia e burgimit, nuk e bëjnë Trumpin të papërshtatshëm për të shërbyer si president.
Si zgjidhet presidenti në SHBA?
Më shumë se 150 milionë njerëz pritet të votojnë në zgjedhjet presidenciale, në ose para ditës së zgjedhjeve. Por janë 538 (votat elektorale) anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, që do të zgjedhin presidentin në një proces që zgjat deri në dhjetor dhe janar.
Amerikanët votojnë për kandidatin e tyre të preferuar për president, dhe në fakt zgjedhin edhe listën e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, të lidhur me cilindo kandidat që fiton votën popullore në çdo shtet.
Më pas, këta anëtarë hedhin votat për presidentin dhe zëvendëspresidentin në Kapitolin e secilit shtet më 17 dhjetor. Ky takim i njohur si Kolegji Zgjedhor, parashihet me Kushtetutën e vendit.
Këto vota elektorale numërohen në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve më 6 janar 2025.
Presidenti i ri merr detyrën më 20 janar 2025.
Cilat janë shtetet e fushëbetejës së 2024-tës?
Mendohet se janë shtatë shtete që mund të fitohen nga secili kandidat. Si rezultat, fushatat zgjedhore janë fokusuar në këto vende. Ato mund të ndahen në dy kategori të përgjithshme.
3 fusha beteje në Midwestern, i njohur si “muri i kaltër” - Këto janë shtetet e Pennsylvanias, Michiganit dhe Wisconsinit. Dikur shtete që përkrahnin demokratët, por që së fundmi kanë ndryshuar qasje, pasi popullsia ka ndryshuar.
Kur Trumpi e fitoi Shtëpinë e Bardhë në 2016-n, ai i fitoi të tri shtetet. Kur Bideni fitoi në 2020-ën, ai i fitoi po ashtu të tri shtetet. Nëse Harrisi fiton të tri shtetet këtë vit, ajo ka të ngjarë të ketë fituar edhe postin e presidentes. Por sondazhet tregojnë garë të ngushtë në të tri shtetet. Pjesëmarrja e votuesve luan rol të rëndësishëm, dhe për Harrisin janë tejet të nevojshme votat e grave dhe të afroamerikanëve. Të tri shtetet kanë qendra urbane.
4 fushëbeteja të Rripit të Diellit – Këto shtete me popullsi në rritje përfshijnë Arizonan, Nevadan në Perëndim e Karolinën e Veriut si dhe Georgian në Lindje. Arizona, Georgia dhe Karolina e Veriut dikur ishin shtete republikane. Trumpi fitoi Karolinën e Veriut dy herë, por kishte garë të ngushtë në vitin 2020. Demokrati i fundit që fitoi atje ishte Barack Obama në 2008-n. Bideni ishte demokrati i parë që fitoi Georgian që nga Bill Clintoni në vitin 1992, dhe Arizonan që nga Clintoni në 1996-n.
Fushëbeteja për 1 votë në Nebraska - 48 shtete ia japin votat e tyre elektorale fituesit, bazuar në avantazhin në secilin shtet. Nebraska dhe Maine e bëjnë atë ndryshe, duke i dhënë votat bazuar në distriktin e kongresit. Shteti i Nebraskas është territor i sigurt i Trumpit, por distrikti i kongresit rreth qytetit të Omahas është një fushëbetejë. Kjo votë e vetme mund të jetë shumë e rëndësishme në rast të një gare të ngushtë në Kolegjin Zgjedhor.
Është situata e kundërt në Maine, i vetmi shtet tjetër që nuk i jep të gjithë anëtarët apo votat elektorale të tij, fituesit mbarëkombëtar. Trumpi mund të marrë votë elektorale edhe në Maine.
