Botë

Shpërthime në Odesa gjatë takimit Zelensky- Mitsotakis

Disa shpërthime vdekjeprurëse kanë goditur qytetin port jugor të Ukrainës, Odesa, derisa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky po takohej me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

Ushtria ukrainase ka thënë se pesë persona kanë mbetur të vdekur. BBC ka raportuar se asnjë prej delegacioneve nuk ka të lënduar.

Mitsotakis ka thënë se dyshja ka dëgjuar zhurmën e sirenave dhe më pas të shpërthimit.

Rusia ka deklaruar se kishte shënjestruar një objekt droni në një zonë porti tregtar të qytetit gjatë një sulmi të mërkurën.

Presidenti Zelensky e ka akuzuar Rusinë “se nuk i intereson se kë po shënjestron”, duke thënë se Moska “ose është çmendur ose nuk kontrollon se çka është duke bërë ushtria e saj terroriste”.

Gjatë një konference të përbashkët për media, kryeministri grek ka thënë se “kemi dëgjuar zhurmën e sirenave dhe të shpërthimeve, që ndodhën afër nesh”.

“Nuk kishim kohë të strehoheshim. Është një përvojë shumë e thellë. Është ndryshe të dëgjosh për luftërat në gazeta, dhe ta dëgjosh atë me veshtë e tu, e ta shohësh me sytë e tu”, ka shtuar ai.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shkruar në rrjetet sociale se e dënon fuqishëm “sulmin në Odesa gjatë vizitës së liderëve”.