Të paktën tre persona kanë mbetur të plagosur pas pesë shpërthimeve që kanë ndodhur në një bazë ushtarake që i takon një milicie të mbështetur nga Irani në Irak, ka bërë të ditur një zyrtar i sigurisë për CNN-in të shtunën.
Shpërthimet kanë ndodhur në vendndodhjen që i takon Njësive të Mobilizimit Popullor (PMU), sipas Muhannad al-Anazi, një anëtar i Komitetit të Sigurisë në provincën Babil në jug të kryeqytetit Baghdad.
Nuk dihet ende se kush e ka kryer sulmin derisa Izraeli dhe zyrtarët amerikanë e kanë mohuar se janë të përfshirë.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian, ka thënë se Irani do të jap një përgjigje të menjëhershme nëse do të kishte një sulm nga Izraeli.
Në një intervistë me NBC News të premten, Amirabdollahian ka thënë se nëse Izraeli vepron kundër interesave të Iranit, "përgjigja e ardhshme e vendit të tij do të jetë e menjëhershme dhe do të jetë në nivelin maksimal".
Amirabdollahian ka minimizuar sulmin e supozuar me dron izraelit në Isfahan në Iranin qendror, duke vënë në pikëpyetje nëse Izraeli ishte i përfshirë.
Ai ka thënë se mini-dronet ishin "si lodra me të cilat luajnë fëmijët tanë".
Shpërthimet afër kryeqytetit të Irakut vijnë vetëm një ditë pas sulmeve ndaj një baze ushtarake në Isfahah të Iranit. Një zyrtar amerikan i ka thënë CNN-it se Izraeli ishte përgjegjës për sulmet në Iran.