Rusia ka nisur të thyhet edhe nga brenda kur mercenarët e prirë nga dikur miku më i madh i Vladimir Putinit, Yevgeny Prigozhin, morën kontrollin e qytetit rus të Rostovit në kufi me Ukrainën. Nga rebelimi i është lëkundur fort karrigia presidentit Putin, i cili e ka cilësuar tradhti dhe thikë pas shpine planin, teksa Prigozhin ka insistuar se nuk bëhet fjalë për grusht-shtet, por marsh për drejtësi. Mirëpo, të shtunën në mbrëmje, lideri i mercenarëve është tërhequr nga plani drejt Moskës, pas marrëveshjes së arritur me presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko. Detajet se si ka ndodhur gjithçka, nga orët e para të së shtunës e deri tash mund t’i lexoni më poshtë
22:51 - Dalin fotografitë: Wagneri nis tërheqjen nga qytetet ruse
Kanë nisur të publikohen pamje nga tërheqja e mercenarëve të Wagnerit nga qytetet që kishin kapur në marshimin drejt Moskës të shtunën. Në fotografitë e agjencisë “Reuters” shihen tanket duke u larguar nga qendra e Rostovit. Qytetarët shihen duke i përshëndetur mercenarët që po largohen.

22:21 - Rusia u ofron poste ushtarake mercenarëve të Wagnerit
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka konfirmuar se mercenarëve të Wagnerit do t’u ofrohet mundësia të marrin poste ushtarake në Rusi. Ai ka thënë se mercenarët e Wagnerit mund të nënshkruajnë kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë dhe nuk do të ndiqen penalisht, pas vendimit për tërheqje nga marshimi drejt Moskës.
22:07 - Rusia tërheq akuzën ndaj Prigozhinit
Akuzat për krime, ndaj shefit të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, do të tërhiqen dhe ai do të lejohet të shkojë në Bjellorusi, ka konfirmuar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Rasti ndaj tij do të hidhet poshtë dhe ai do të shkojë vetë në Bjellorusi”, ka thënë Peskov në një konferencë për gazetarët të shtunën, disa orë pasi Wagner u pajtua që të tërhiqet nga marshimi drejt Moskës.
19:51 - Shefi i grupit të mercenarëve Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka publikuar një audioincizim në rrjetin “Telegram” duke njoftuar publikisht se është ndalur marshimi drejt Moskës.
“Brenda një dite i jemi afruar në 200 kilometra Moskës. Gjatë kësaj kohe, nuk kemi derdhur asnjë pikë gjaku të luftëtarëve tanë. Tani është momenti kur mund të derdhet gjaku. Duke kuptuar përgjegjësinë për faktin se do të derdhet gjaku rus, ne po i kthejmë kolonat dhe po largohemi në drejtim të kundërt, në kampet tona fushore, sipas planit”, ka thënë ai, raporton CNN.
Siç shkruan “Spectator Index”, Rusia është pajtuar t’i ofrojë garanci për siguri Wagnerit, në këmbim të ndalimit. Po ashtu është garantuar se do të ketë ndryshime të mëdha në Qeveri, sidomos në Ministrinë e Mbrojtjes.
19:41 - Agjencisë prestigjioze të lajmeve, Associated Press, i është konfirmuar se shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, ka ndalur lëvizjet e mercenarëve, pasi presidenti bjellorus Alexander Lukashenko tha se ka arritur pajtimin për depërshkallëzim. Në një audiomesazh, Prigozhini ka thënë se po i ndal trupat e tij për të shmangur “gjakderdhje ruse”.
19:26 - Bideni koordinohet me aleatët pas rebelimit në Rusi
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe aleatët kryesorë të SHBA-së kanë rikonfirmuar të shtunën mbështetjen “e palëkundshme për Ukrainën” në një bisedë me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për situatën e re në Rusi, pas rebelimit të mercenarëve të Wagnerit kundër shtetit rus.
Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri britanik Rishi Sunak kanë qenë në kontakt të ngushtë me Bidenin gjithë kohën qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës. Siç shkruan CNN, Bideni ka qenë në vazhdimësi në kontakt me treshen e liderëve të Evropës gjatë vitit të shkuar.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar të shtunën se Bideni tashmë është informuar për rebelimin e fundit në Rusi.
18:17- Ndalohen të gjitha aktivitetet për një javë në Moskë
Rajoni i Moskës ka suspenduar të gjitha ngjarjet në masë në hapësirat e jashtme deri më 1 korrik, kanë lajmëruar autoritetet.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, u ka bërë thirrje të gjithëve që të mos udhëtojnë përreth qytetit.
Ai po ashtu e ka shpallur ditën e hënë pushim për të gjithë punëtorët për “të minimizuar rreziqet”.
“Shërbimet e qytetit janë në gatishmëri të lartë”.
17:56 - Trupat e Wagnerit janë duke iu afruar Moskës me shpejtësi më të madhe se që është paramenduar. Siç ka shkruar BBC të shtunën, autoritetet ruse tashmë janë alarmuar dhe se kanë nisur bllokimin e rrugëve për trupat mercenare.
Sipas një videoje të publikuar në Telegram, dhe të verifikuar nga BBC-ja, shumë automjete të rënda tashmë kanë bllokuar një urë rreth 100 kilometra larg Moskës.
Kryetari i Moskës tashmë ka njoftuar për nisjen e një operacioni “anti-terrorist”.

16:24 - Grupi i mercenarëve, Wagner, është duke lëvizur me hapa të shpejtë në drejtim të Moskës, raporton BBC.
Informacionet e verifikuara nga terreni është vështirë të sigurohen, ka shkruar mediumi prestigjioz, që ka thënë se megjithatë, trupat e Wagnerit janë parë në lëvizje në drejtim të veriut, në drejtim të kryeqytetit rus.
Këtë mëngjes, mercenarët e Wagnerit janë parë në Rostov, ndërsa më vonë u tha se trupat kishin arritur në Voronezh. Tani, kryebashkiaku i rajonit të Lipetskut, ka konfirmuar lëvizjen e trupave të Wagnerit.
Moska është vetëm 400 kilometra larg këtij rajoni.

15:08 - Bastiset zyra e Prigozhinit, i gjejnë 47 milionë dollarë
Shërbimi rus i sigurisë ka bastisur një pronë të grupit Wagner në Shën Petersburg.
Njoftimet e pakonfirmuara të mediave ruse thonë se ata gjetën 47 milionë dollarë para të gatshme në kuti kartoni pranë zyrës së Yevgeny Prigozhinit.
Udhëheqësi i grupit paraushtarak tha se paratë ishin për të mbuluar pagat dhe shpenzimet e tjera për luftëtarët e tij Wagner.
14:55 - “Avullohen” biletat në aeroportin e Moskës
Fluturimet nga Moska raportohet se janë zënë të gjitha për ditën e sotme, pas lajmeve për afrimin e grupit mercenar Wagner në kryeqytetin rus.
Der Spiegel ka raportuar se biletat për lidhje direkte nga Moska në Tbilisi, Astana dhe Stamboll nuk janë më të disponueshme.
Google Maps tregon se rrugët M4 në jug të Moskës janë mbyllur, rruga që pritet të kalohet rebelët Wagner.
14:42 - Erdogani i shpreh mbështetjen Putinit
14:15 - SHBA-ja e kishte parashikuar që në janar krisjen mes Wagnerit dhe qeverisë ruse
13:55 - Letonia forcon sigurinë në kufinj
Letoni ka forcuar sigurinë në kufinjtë me Rusinë. Autoritetet kanë thënë se nuk do të lejojnë hyrjen e shtetasve rusë.
13:40 - Aeroplani presidencial largohet nga Rusia
12:44 - Putini njofton aleatët
Presidenti rus Vladimir Putin ka njoftuar homologët e tij të Bjellorusisë, Uzbekistanit dhe Kazakistanit për zhvillimet në Rusi.
12:19 - Ushtria polake në gatishmëri të lartë
Ushtria polake ka kaluar në gatishmëri të lartë pas zhvillimeve në Rusi.
Polonia kufizohet me Rusinë.
12:12 - Zhvillimet në Rusi, reagon Zelensky: Lavdi Ukrainës
11:39 - Prigozhin i përgjigjet Putinit
Kreu i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka thënë se asnjë ushtar i grupit të tij nuk ka në plan ta dorëzojë veten sipas urdhrit të presidentit rus.
Rusët nuk duan më të jetojnë në një shtet me korrupsion, gënjeshtra dhe burokraci, ka thënë Prigozhin.
"E keni gabim që më akuzoni për tradhti", ka thënë Prigozhin drejtuar Putinit.
Mesazhi i tij erdhi pasi Vladimir Putini e akuzoi atë se po udhëhiqte një kryengritje të armatosur.
11:22 - Meloni: Pushtimi i Ukrainës po i kthehet kundër Putinit
11:05 - Kadyrovi dërgon ushtarët për të luftuar kundër Wagnerit
11:02 - Prigozhin: Ushtarët janë gati për të vdekur në kryengritje
Forcat Wagner janë gati për të vdekur në kryengritje, ka thënë lideri i mercenarëve, Yevgeny Prigozhin
Prigozhin ka thënë se ushtarët e tij, të cilët kanë nisur një rebelim të armatosur, ishin gati për të vdekur, në një mesazh të postuar në Telegram të shtunën në mëngjes.
Në një varg mesazhesh, udhëheqësi i grupit mercenar u zotua të rrëzonte udhëheqjen ushtarake të Rusisë.
“Të gjithë ne jemi gati të vdesim. Të gjitha 25 mijë dhe më pas 25 mijë të tjerë. Ne po vdesim për popullin rus”, ka thënë Prigozhin.
10:52 - Foto e helikopterit të rrëzuar rus në rajonin e Voronezhit

10:22 - Rusët bombardojnë automjetet Wagner
Forcat ajrore ruse raportohet se kanë bombarduar automjetet Wagner në autostradën strategjike M4 që të çon në Moskë.
10:19 - Inteligjenca britanike: Wagneri po synon të hyjë në Moskë përmes Voronezhit
09:55 - Wagner: Rusia së shpejti do të ketë president të ri
Grupi i mercenarëve i është përgjigjur deklaratave të Putinit, i cili pa përmendur emrat e Wagnerit apo liderit Prigozhin, i konsiderojë akt tradhtie zhvillimet e fundit.
Grupi Wagner ka thënë se ka marrë kontrollin e qytetit të Rostovit dhe bazën ushtarake në Voronezh. Ata janë të pakënaqur me udhëheqjen ushtarake ruse, të cilën e kanë akuzuar për dështim në pushtimin e Ukrainës.
09:48 - Evropianët po i përcjellin zhvillimet
Presidenti francez Emmanuel Macron po ndjek nga afër situatën në Rusi, thanë zyrtarët e vendit të tij.
Presidenti i Polonisë zhvilloi konsultime me kryeministrin dhe Ministrinë e Mbrojtjes për situatën në Rusi, ka thënë ai të shtunën, duke shtuar se Varshava po monitoronte situatën.
09:14 - Putini i adresohet popullit rus
Presidenti rus ka nisur adresimin për popullin rus. Ai e ka quajtur akt tradhtie rebelimin e forcave të Wagnerit, por pa i përmendur ata apo liderin e tyre, Prigozhin. Ka paralajmëruar ndëshkim.
Adresimi ishte i shkurtër.
08:37 - Cili është qëllimi i Wagnerit?
08:25 - Presidenti rus Vladimir Putin pritet t'i drejtohet popullit
Presidenti rus Vladimir Putin do të mbajë një fjalim televiziv së shpejti, ka njoftuar agjencia e lajmeve Tass.
08:20 - Wagneri pretendon se ka marrë kontrollin e Rostovit
Disa foto të mediave ndërkombëtare kanë paraqitur luftëtarët e Wagnerit brenda qytetit jugor rus të Rostov-në-Don, të cilin shefi i grupit të mercenarëve, Yevgeny Prigozhin, ka thënë se forcat e tij tani e kontrollojnë, shkruan BBC. Krerët e Wagnerit thonë se tash e kanë kontrollin edhe në objektet ushtarake në Voronezh.
BREAKING:
— Visegrád 24 (@visegrad24) June 24, 2023
Yevgeny Prigozhin has arrived to the headquarters of the Russian Army in Rostov after the Wagner Group captured it earlier today.
The military coup in Russia is in full swing.
pic.twitter.com/7YyRlTBadn
08:10 - Shefi i Wagnerit zotohet të rrëzojë udhëheqësit ushtarakë rusë
01:30 - Tensionet kanë eskaluar në mes të Rusisë dhe grupit mercenar “Wagner” të premten në mbrëmje dhe në orët e para të së shtunës. Pas përplasjeve të fundit për goditjen e njëri-tjetrit, shefi i grupit ushtarak mercenar “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, ka njoftuar se ky grup ia ka mësyrë për sulm Moskës.
Pas akuzave se Ministria Ruse e Mbrojtjes e ka mashtruar për luftën në Ukrainë, Prigozhin ka thënë se tashmë “Wagneri” ka hyrë në Rusi dhe ia ka mësyrë kryeqytetit.
“Forcat kufitare na kanë përqafuar rrugës për Rusi. Do të shkatërrojmë gjithçka rrugës”, ka thënë ai, raporton BBC.
Vetë Prigozhin, nëpërmjet Telegramit si gjithnjë, ka thënë se Rusia ka dhënë urdhër për sulme nëpërmejt ajrit ndaj mercenarëve të Wagnerit, por ai ka deklaruar se vetë pilotët rusë kanë refuzuar ta bëjnë këtë.
BBC e CNN kanë raportuar se nuk kanë arritur t’i konfirmojnë të gjitha pretendimet e Wagnerit për hyrje në Rusi.
Siç ka njoftuar mediumi shtetëror rus, TASS, në Moskë janë marrë tashmë masat e sigurisë. Rusia tashmë ka lëshuar urdhërarrest për kreun e “Wagnerit”. Për rastin është në dijeni edhe presidenti rus, Vladimir Putin. “Presidenti Putin është njoftuar për të gjitha ngjarjet rreth Prigozhinit. Masat e nevojshme po ndërmerren”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Siç raporton “The Guardian”, tashmë Moska është mbushur me automjete ushtarake të blinduara.
Siç raportojnë mediat ruse, transmeton BBC, në qytetin e Rostovit tashmë është aktivizuar “Operacioni Kalaja”, që nënkupton planin që i gjithë personeli të jetë “në gatishmëri të plotë”. Plani është aktivizuar edhe në Moskë. Të gjitha objektet e Kremlinit tani janë nën mbrojtje të shtuar.
FSB calls on Wagner to ignore Prigozhin’s criminal orders and to assist in his apprehension. Multiple generals making videos calling on them to do the same
— Dmitri Alperovitch (@DAlperovitch) June 23, 2023
Armored vehicles are observed on the streets of Moscow pic.twitter.com/DB7yfcVzy2
Për situatën e re të shkaktuar në Rusi, është njoftuar edhe presidenti amerikan, Joe Biden. Për rastin ka dalë me deklaratë të shkurtër edhe Shtëpia e Bardhë. “Jemi duke monitoruar situatën dhe do të vazhdojmë konsultat me aleatët dhe partnerët mbi këto zhvillime”, ka thënë një zëdhënës i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në SHBA.
Prigozhin ka qenë aleat i Putinit. Sivjet grupi i tij, “Wagner” është shpallur nga Perëndimi organizatë kriminale për shkak të aktiviteteve në Ukrainë, por edhe në Lindje të Mesme dhe në Afrikë. Si Prigozhin, ashtu edhe grupi janë të sanksionuar nga Perëndimi.