Në muajt e parë të shpërthimit, koha mesatare e kërkuar për procesimin e një rasti – nga shfaqja e simptomave të para deri te konfirmimi i diagnozës – ishte 23.3 ditë.
Vonesa e vazhdueshme mbase do t’i vështirësonte intervenimet e drejtpërdrejta të shëndetit publik, ka thënë Amesh Adalja, mjek në Qendrën Johns Hopkins për Siguri Shëndetësore. Ekspertë të shumtë e kanë përshkruar vakumin kohor si jashtëzakonisht të gjatë.
“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britani të Madhe, Francë dhe Gjermani ka gjithmonë vonesa, ama 23 ditë është kohë shumë e gjatë”, ka thënë Schaffner nga Universiteti i Vanderbilt.
Pengimi i sistemit të paralajmërimit të hershëm
Mungesa e gatishmërisë është reflektuar kudo në dokumente, pjesë të të cilave janë skajshmërisht kritike në vlerësimet e brendshme rreth mbështetjes së Qeverisë për operacionet e Qendrës për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Hubei.
Raporti e karakterizon këtë qendër si të nënfinancuar, në mungesë të pajisjeve të duhura testuese dhe me staf të pamotivuar, i cili rëndom ndihej i anashkaluar nga burokracia e kudondodhur e Kinës. Dokumentet e përfshijnë një auditim të brendshëm, për të cilin analizat forenzike kanë treguar të ishte shkruar në tetor të 2019-s, para se pandemia të niste. Më shumë se një muaj para se rastet e para të shfaqeshin, rishikimi vazhdon të nxisë autoritetet shëndetësore për “të gjetur në mënyrë rigoroze një hallkë të dobët në punën e kontrollimit të sëmundjes, për të analizuar në mënyrë aktive dhe mbushur mangësitë”.
Raporti i brendshëm i CDC-së ankohet rreth mungesës së financave operacionale nga qeveria krahinore e Hubeit dhe cek se buxheti për staf është 29 për qind më i mangët sesa caku vjetor.
Pas shpërthimit, zyrtarët kinezë nxituan për t’i rishikuar problemet. Megjithëkëtë, më shumë se katër muaj pasi që virusi u zbulua për të parën herë, çështjet madhore vazhduan t’i pengojnë përpjekjet e kontrollimit të sëmundjes në rajonet kryesore, bëhet e ditur në dokumente.
Sipas Huangut, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, raporti e përgënjeshtron pretendimin e Kinës për investime masive në kontrollimin dhe parandalimin e sëmundjeve, pas shpërthimit të SARS-it më 2003.
“Nëse shikoni në nivelin lokal, pamja nuk është gjithaq rozë sa pretendoi Qeveria”, ka thënë ai.
Shpërthimi masiv i gripit në Hubei
Dokumentet zbulojnë gjithashtu një shpërthim më herët të pazbuluar dhe 20-fish më të madh të rasteve të gripit, të evidentuara vetëm brenda një jave në fillim të dhjetorit në Hubei. Ky shpërthim, i cili ndodhi në javën e fillimitdhjetorit, ka gjeneruar ngritjen e rasteve me përafërsisht 2.059 për qind, krahasuar me të njëjtën javë të një viti më parë, kanë treguar të dhënat interne. Ky shpërthim nuk është ndier më së rëndi në Wuhan – epiqendër e shpërthimit të koronavirusit – por në qytetet e afërta Yichang, me 6.135 raste, dhe Xianningu me 2.148. Wuhani ishte i treti më i godituri, me 2.032 raste të reja atë javë.
Ani pse shkalla e përhapjes së gripit në Hubei nuk ishte raportuar më herët, është vështirë të nxirret ndonjë konstatim i prerë, sidomos në aspektin e shpërfaqjes potenciale të COVID-19 më herët.
Dokumentet tregojnë se testimet e ndërmarra tek pacientët me grup kanë gjeneruar numër të lartë të rezultateve të panjohura. Sidoqoftë, ekspertët kanë tërhequr vërejtjen se kjo jodomosdoshmërisht nënkupton se rezultatet e paditura ishin në fakt raste të padetektuara të koronavirusit.
“Ata po testonin vetëm për atë që dinin – ky (koronavirusi) ishte një e panjohur, e panjohur”, ka thënë Adalja nga Akademia JHU, duke shtuar se një skenar i tillë nuk ishte i pazakontë. CDC-ja e Wuhanit më vonë ka ndërmarrë një kërkim retrospektiv rreth rasteve të grupit nga fillimi deri në tetor 2019 në dy spitale të Wuhanit, në përpjekje për t’iu vënë në gjurmë koronavirusit. Por, sipas një studimi të publikuar në revistën “Nature”, ata nuk ishin në gjendje që të detektonin mostrat e virusit që datonte përpara janarit të 2020-s. Studimet e ngjashme ende duhet të kryheshin në qytetet e tjera të Hubeit.
Qeveria kineze kishte aluduar më herët në tregun e produkteve të detit Huanan në Wuham si një epiqendër e mundshme fillestare për shpërthimin e mesdhjetorit, ku po shitej mishi i kafshëve të egra ekzotike. Megjithëkëtë, ky pretendim është sfiduar të paktën pjesërisht nga një studim i “Lancetit” mbi pacientët e parë të dhjetorit, në të cilin u konstatua se një e treta e 41 infektimeve atë muaj nuk kishte pasur lidhje të drejtpërdrejtë me tregun. Yichangu, 320 kilometra në perëndim të Wuhanit, ishte goditur më së rëndi nga gripi, pothuajse trefish më shumë se në Wuhan gjatë së njëjtës javë të 2 dhjetorit.
Martha, eksperte kineze nga JHU-ja, ka thënë se shpërthimi në Yichang, ndonëse nuk ishte i lidhur me COVID-19 në këto dokumente, mund të hapte teori të reja rreth fillimit të virusit.
Shpalosja e krizës
Liderët kinezë ishin të parët që iu kundërvunë virusit, duke e zbatuar një gamë masash drakonike të kufizimit për frenimin e përhapjes së shpërthimit në fund të janarit. Duke përdorur mjete të sofistikuara të vëzhgimit, zyrtarët qeveritarë zbatuan izolimin më të ashpër përreth vendit, duke ua ndaluar daljet nga shtëpitë më shumë se 700 milionë qytetarëve dhe duke ua vënë drynin kufijve kombëtarë me qëllim të testimeve masive dhe gjurmimit të kontakteve. Një studim i revistës “Science” në maj ka treguar se masat gjatë atyre 50 ditëve të para të pandemisë mbase kanë ndihmuar në thyerjen e zinxhirit lokal të përhapjes.
Sot, Kina ka pothuajse zero raste lokale dhe virusi aty gati se është çrrënjosur.
Por rrëfimi në shkurt ishte krejt ndryshe. Derisa rastet po shtoheshin në mbarë vendin, zyrtarët qeveritarë po ballafaqoheshin me krizë potenciale të legjitimitetit, me ç’rast opinioni publik po kthehej vrullshëm kundër Partisë Komuniste në pushtet shkaku i keqmenaxhimit të perceptuar të sëmundjes së re vdekjeprurëse.
Gjatë 30 vjetëve të fundit, shumica në Kinë dukej e gatshme për të braktisur liritë politike në këmbim të shëndetit, stabilitetit shoqëror dhe mundësive më të mëdha. Virusi kishte vënë nën kërcënim krejt këtë.
Në fund të janarit, lideri më i pushtetshëm i Kinës ndër dekada ka urdhëruar publikisht “përpjekje gjithëpërfshirëse” për frenimin e virusit. Asokohe, Kina po e shënonte festën e Vitit të Ri Hënor, më e rëndësishmja në kalendarin vjetor. Ky vendim i Xisë, ndërmarrë pak ditë pas izolimit të tërësishëm të Wuhanit, përçonte një mesazh të qartë: Dështimi nuk është opsion.
Gjatë kësaj kohe, dokumentet tregojnë se shifra e vdekjeve ditore në Hubei ishte rritur në 196 më 17 shkurt. Po atë ditë, Hubei raportoi publikisht vetëm 93 vdekje nga virusi. Derisa virusi po përhapej, zyrtarët lokalë po akuzoheshin për minimizimin e shpërthimit dhe rrezikut për publikun.
Beteja e një mjeku
Në fund të dhjetorit, një mjek i quajtur Li Wenliang nga njëri prej spitaleve kryesore të Wuhanit, ishte ndër të parët punëtorë shëndetësorë të thirrur për bisedë nga autoritetet lokale dhe ai më vonë u thirr edhe në polici, ngase provoi ta ndizte alarmin rreth një virusi “të ngjashëm me SARS-in”. 24-vjeçari Li, pak kohë prej kohës, u prek nga sëmundja. Gjendja e tij u përkeqësua shpejt dhe në mëngjesin e hershëm të 7 shkurtit ai vdiq, duke prodhuar valë zemërimi kudo në Kinën me internet të censuruar.
Nuk dihet deri në çfarë shkalle ishte e njoftuar qeveria qendrore me veprimet e asaj kohe në Hubei, por sa informata ishin ndarë dhe me kë. Dokumentet nuk ofrojnë ndonjë indikacion se autoritetet në Pekin po e drejtonin procesin e vendimmarrjes lokale.
Por dokumentet e rrjedhura e ofrojnë gjithashtu edhe një lloj mbrojtjeje për menaxhimin e përgjithshëm të Kinës me virusin. Aty ceket se në fazat e hershme të pandemisë, Kina ishte ballafaquar me të njëjtat probleme në përllogaritje, testime dhe diagnostikim që edhe më tutje i përndjekin shumë demokraci perëndimore.
Për më tepër, Kina dhe punëtorët e saj shëndetësorë ndodheshin nën presion të jashtëzakonshëm prej një virusi të panjohur, ka thënë Yang nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë.
Hubei, i cili ngec bukur prapa Pekinit, Shangait dhe qendrave të tjera madhore administrative të Kinës, ishte i pari rajon që iu kundërvu një virusi që do të ngufaste shumë prej shteteve më të fuqishme të botës.
Schaffneri i Universitetit të Vanderbiltit ka thënë se shumë prej komenteve në dokumente mund të ishin bërë në SHBA, “ku, gjatë 15 dhe 20 vjetëve të fundit, në nivelet e caktuara shtetërore dhe lokale, financimi në shëndetin publik është cunguar”.
Dokumentet tregojnë se zyrtarët e përkujdesjes shëndetësore nuk e kishin as idenë më të vogël mbi përmasat e katastrofës në ardhje. Askund në këto dosje nuk ekziston ndonjë indikacion se zyrtarët kanë besuar që virusi do të shndërrohej në pandemi.
Këtë të martë janë shënuar fiks 12 muaj qëkur pacienti i parë në Wuhan ka nisur të shfaqë simptoma, sipas studimit të “Lancet”-it. Bilanci i të vdekurve dhe numri i personave të infektuar me virusin, tanimë të njohur në të gjithë botën si SARS-Cov-2, që e shkakton sëmundjen COVID-19 dhe që po ndikon thellësisht në jetët e njerëzve përreth planetit, po vazhdon që të rritet, prej ditës në ditë.
{gallery}