Botë

Shpalosja e një kaptine brutale në Afganistan

Rënia e tri qyteteve një pas një ka ndodhur vetëm pak javë para se forcat amerikane ta kompletojnë tërheqjen e tërësishme nga Afganistani, duke e vënë në pah një telash të madh për presidentin Joe Biden

Kurrë më parë në 20 vjetët e luftës në Afganistan talebanët nuk kanë sulmuar direkt më shumë se një kryeqytet krahinor brenda dite. Tani tre syresh kanë rënë vetëm gjatë të dielës – Kunduzi, Sar-i-Puli dhe Taliqani – që të gjithë në veri, teksa qytete të tjera edhe më të populluara janë nën rrethim.

Krejt këto tregojnë se sa pak kontroll ka Qeveria mbi vendin, pa fuqinë ushtarake amerikane për ta mbrojtur, ka shkruar e përditshmja amerikane “New York Times” në analizën mbi gjendjen në Afganistan.

Rënia e tri qyteteve një pas një ka ndodhur vetëm pak javë para se forcat amerikane ta kompletojnë tërheqjen e tërësishme nga Afganistani, duke e vënë në pah një telash të madh për presidentin Joe Biden.

Që nga nisja e tërheqjes amerikane talebanët kanë zaptuar më se gjysmën e 400 distrikteve të Afganistanit. Dhe sulmet e tyre të fundit në kryeqytetet krahinore përbëjnë shkelje të marrëveshjes paqësore të 2020-s midis talebanëve dhe Shteteve të Bashkuara. Nën këtë marrëveshje, e cila i hapi rrugën tërheqjes amerikane, talebanët janë zotuar që të mos i sulmojnë qendrat krahinore, si Kunduzin, ka shkruar gazeta amerikane.

Image
Të shtunën e javës së kaluar forcat afgane e nisën një operacion ushtarak për t’i dëbuar luftëtarët nga Kunduzi në përpjekje për ta rimarrë qytetin, kanë thënë zyrtarët për gazetën. Por të dërrmuar nga javët e tëra me luftime intensive, gjasat për fitore nuk ishin aspak të sigurta

“Taktika si në Sarajevë”

Të dielën zyrtarë të administratës thanë se Bideni është njoftuar për ngjarjet në Afganistan porse nuk ndryshon shtegun për sa i përket tërheqjes përfundimtare të trupave. Ngadhënjimet e shpejta talebane, sipas “New York Times”, e kanë shumëfishuar frikën rreth aftësisë së forcave afgane të sigurisë për t’i mbrojtur territoret që mbeten nën kontrollin e Qeverisë. Që nga maji kryengritësit kanë mbërthyer rajonet rurale dhe, në fund të korrikut, i kanë nisur sulmet në qytetet e mëdha afgane, për të parën herë ndër vite.

Përveç kësaj, fitoret e talebanëve kanë intensifikuar shqetësimet si strategjike ashtu edhe psikologjike përreth Kabulit, kryeqytetit të vendit.

“Derisa talebanët kanë vazhduar fushatën vrastare kundër zyrtarëve dhe figurave afgane të shoqërisë civile në kryeqytet ditëve të fundit, ata ende nuk i kanë filluar operacionet intensive ushtarake përreth Kabulit, mbase në pritje të reagimit të amerikanëve dhe të Qeverisë kundruall triumfeve të fundit”, ka shkruar NYT.

Zaptimet e njëpasnjëshme në qendrat krahinore kanë stërlodhur forcat afgane të sigurisë dhe kanë shteruar burimet ushtarake në mënyrë të rrezikshme. Të tejngarkuara, forcat afgane janë përqendruar në mbrojtjen e qyteteve kyç, si Lashkar Gah dhe Kandahar në jug, Herat në veriperëndim dhe Kunduz në jug, duke i lënë të tjerat të brishta karshi zaptimeve.

Ndryshimi në ofensivën ushtarake talebane për kapjen e qyteteve afgane është vetëm fillimi i një kaptine të re dhe të përgjakshme që po shpaloset në Afganistan, kanë thënë ekspertët për të përditshmen amerikane.

“Ky tani është një soj ndryshe i luftës, i ngjashëm me atë të Sirisë së fundi apo Sarajevës në një të shkuar jo fort të largët”, ka thënë Deborah Lyons, përfaqësuese e posaçme e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Afganistan, duke folur gjatë një seance të Këshillit të Sigurimit të premten. “Të sulmuarit e qendrave urbane nënkupton shkaktim të qëllimshëm të dëmit enorm dhe të shkaktimit masiv të viktimave civile”.

Kapja e Kunduzit, qytet me 374 mijë banorë, ka nisur fundin e qershorit dhe talebanët i kanë mbajtur ushtarët qeveritarë dhe njësitet policore të zënë me beteja që shpërthyen ndërkohë. Natën e së shtunës luftimet u intensifikuan, teksa talebanët e jetësuan yryshin përfundimtar kundër trupave të rraskapitura qeveritare.

Heshtja për betejat rraskapitëse

Ahmad Shokur Ghaznaëi, një banor i Kunduzit, thotë të ketë dëgjuar të shtënat e forcave të sigurisë dhe të luftëtarëve talebanë në luginën përtej shtëpisë së tij. Derisa luftimet po intensifikoheshin, rreth 50 luftëtarë të forcave afgane u mblodhën në luginë. Porse ushtarët qeveritarë kishin humbur gjithë fuqinë.

“Thanë se ishin të uritur – kishin ngelur pa bukë”, thotë Ghaznawi, për NYT.

Mëngjesin pasues forcat e sigurisë u tërhoqën në jug të qytetit dhe talebanët i vërshuan rrugët me motoçikleta, me vetura dhe kamionë policorë.

Derisa talebanët po e ngrinin flamurin e tyre në sheshin kryesor të Kunduzit dhe i liruan me qindra të burgosur nga burgu qendror, një ndjenjë e sëkëlldistë mbërtheu qytetin: Retë e tymit të zi mbuluan qiellin, pasi dy tregjet kryesore të qytetit i kapluan flakën. Nga frika se mallrat do t’u vidhen, dyqanxhinjtë i larguan të gjithat në shtëpitë e tyre.

“Njerëzit thjesht duan që të shpëtojnë të gjallë dhe t’i lënë të gjitha gjërat prapa vetes”, thotë Sulaiman Satarzada (28), afarist nga Kunduzi.

Deri në fund të asaj dite talebanët zaptuan edhe qytetin verior Taliqan dhe Sar-i-Pul. Megjithëkëtë, asnjë zyrtar i Qeverisë qendrore – përfshirë presidentin Ashraf Ghani – nuk e komentuan ngjarjen; ministria e Mbrojtjes bëri të ditur vetëm se forcat afgane të sigurisë po luftojnë përreth vendit, duke vrarë një mori luftëtarësh talebanë.

Brishtësia e forcave afgane

Për afro dy dekada SHBA-ja dhe NATO-ja janë angazhuar në ndërtimin e vendit me anë të trajnimit, zgjerimit dhe pajisjes së forcave policore, atyre ajrore dhe ushtrisë afgane, duke shpenzuar me dhjetëra miliarda dollarë në krijimin e forcave qeveritare të sigurisë që mund ta mbrojnë vetë vendin e tyre.

Por ofensiva talebane ka zbuluar brishtësinë e këtyre forcave.

“Me mijëra ushtarë janë dorëzuar apo kanë dezertuar muajve të fundit. Fati i vendit është në duart e forcave ajrore dhe atyre komanduese që kanë shërbyer si zjarrfikësit e vendit, të dërguar në vatra të nxehta me shpresën për ta kthyer dallgën kundër grupit kryengritës. Në realitet, ato që dikur konsideroheshin forca elitare u transformuan në ushtarë këmbësorie, të cilat janë ndër të vetmet trupa të afta për ta mbrojtur territorin e sulmuar nga talebanët”, ka shkruar NYT.

SHBA-ja, megjithëse premtoi t’u japë fund operacioneve ushtarake deri më 31 gusht, është zotuar për të siguruar aeroplanë dhe dronë të tjerë për të ndihmuar në zmbrapsjen e talebanëve nëpërmjet ajrit.

Të shtunën e javës së kaluar forcat afgane e nisën një operacion ushtarak për t’i dëbuar luftëtarët nga Kunduzi në përpjekje për ta rimarrë qytetin, kanë thënë zyrtarët për gazetën. Por të dërrmuar nga javët e tëra me luftime intensive, gjasat për fitore nuk ishin aspak të sigurta.

“Jemi aq të lodhur dhe forcat e sigurisë po ashtu janë lodhur”, thotë për gazetën Sayed Jawad Hussaini, zëvendësshef i policisë në Kunduz. “Në të njëjtën kohë nuk kemi marrë përforcime dhe sulmet ajrore nuk i vënë talebanët në shënjestër me kohë”.

Teksa vijat e frontit po depërtojnë përherë e më thellë qyteteve, civilët afganë janë ngujuar midis këtyre niveleve të përshkallëzuar të dhunës.

Në Kunduz, më se 70 civilë në ditë sillen në spitalin rajonal të qytetit, thotë Mohammed Naim Mangal, drejtor i qendrës spitalore. Vetëm midis të shtunës dhe të dielës spitali trajtoi afro 100 të lënduar.

Mirëpo derisa luftimet intensifikohen nëpër rrugë, shumë të lënduar të tjerë nuk mund t’ia dalin që të arrijnë në qendra shëndetësore. Vetë spitali ishte qëlluar me mortaja gjatë së dielës. Ndërsa atë natë, sipas NYT, derisa qyteti po përgatitej për më shumë dhunë, vetëm dy mjekë qëndruan në spital. Pjesa tjetër e stafit kishte ikur.

Përgatiti: Nita Lleshi