Deputetët në Korenë e Jugut i kërkuan presidentit Yoon Suk Yeol të japë dorëheqje pasi shpalli gjendje të jashtëzakonshme ushtarake, duke shkaktuar një krizë të madhe politike.
Reuters ka raportuar se deklarata e befasishme e presidentit pati përplasje të madhe me Kuvendin, që hodhi poshtë përpjekjen e tij për të ndaluar aktivitetin politik dhe për të censuruar mediat, pasi trupat e armatosura u futën me forcë në objektin e Asamblesë Kombëtare në Suel.
Në rast se presidenti nuk dorëhiqet, deputetët do ta ballafaqojnë me mocion të ngritjes së akuzës. Partia Demokratike, si më e madhja në opozitë, tha se presidenti me këtë vendim s'mund ta drejtojë më vendin normalisht.
"Ai duhet të japë dorëheqje", ka thënë deputetja Park Chan-dae.
Ndërkohë në Kore kanë nisur edhe protesta me kërkesën për shkarkim të presidentit. E stafi i tij tashmë ka dhënë dorëheqje.
Gjashtë parti opozitare kërkuan shkarkimin e tij.
Nuk është hera e parë që një president i Koresë së Jugut përballet me procesin e njohur si “impeachment”. Para më pak se dhjetë vjetësh presidenti Park Geun-hye u akuzua për ndihmë të një miku në kryerjen e zhvatjes më 2016.
Për të ngritur akuzë ndaj presidentit Parlamenti Kombëtar i Koresë së Jugut duhet ta miratojë me të paktën 200 vota nga 300 anëtarët.
Sapo të miratohet, nis gjykimi para Gjykatës Kushtetuese – këshill nëntë-anëtarësh. Nëse gjashtë prej tyre e miratojnë akuzën, presidenti shkarkohet.
Më 2016, procesi ishte i suksesshëm. 234 deputetë kishin votuar pro për largim të presidentit Park.
Më 2004, në një tjetër rast, Roh Moo-hyun u akuzua dhe u suspendua për dy muaj. Më pas Kushtetuesja e riktheu në detyrë.