Burri që sulmoi bashkëshortin e ish-kryesueses së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosit, është shpallur fajtor nga një gjykatë në San Francisco, raporton BBC.
Sulmuesi, David DePape, është shpallur fajtor për sulm dhe tentim kidnapimi të një zyrtare federale.
Sulmi la Paul Pelosin (83) gjashtë ditë në spital me një frakturë në kafkë dhe lëndime tjera.
DePape ishte i përlotur ndërsa kërkoi falje për sulmin. Ai përballet deri me 50 vjet burgim.
Ai u dënuar pas një seance gjyqësore që zgjati një javë.
Video-dëshmitë treguan sulmuesin, një shtetas kanadez që ka jetuar në SHBA për 20 vjet, duke hyrë në shtëpinë e Pelosit në San Francisco më 28 tetor të vitit të kaluar.
Me të hyrë në shtëpi, ai kërkoi Nancy Pelosin, që nuk ishte në shtëpi në atë moment.
Me të arritur policët ata panë Paul Pelosin duke tentuar t’ia marrë çekanin nga dora DePapet. Në momentin kur policët i thanë DePapet ta lëshojë çekanin, ai e goditi Paul Pelosin në kokë. Policët më pas e arrestuan.
Gjithë ngjarja u kap nga kamerat në trup të policëve.
Në dëshminë e tij Paul Pelosi, tha se DePape i kishte thënë se qëllimi i tij ishte ta merrte Nancy Pelosin, duke iu referuar asaj si “lidere e tufës”.
DePape tash përballet me 20 vjet burgim për tentim kidnapimi, si dhe 30 vjet burgim për sulm ndaj një anëtari të familjes së një zyrtari shtetëror.