Botë

Shkon në 140 numri i të vdekurve nga sulmi në Moskë

Sulmi

Sulmi

Foto: Associated Press

Numri i të vdekurve nga sulmi në Moskë ka shkuar në 140, pasi një tjetër i plagosur ka vdekur të mërkurën në spital, kanë bërë të ditur autoritetet ruse.

I plagosuri ishte në mesin e pesë të hospitalizuarve që ndodheshin në gjendje shumë të rëndë, derisa mjekët bënë të pamundurën për ta shpëtuar, ka thënë ministri rus i Shëndetësisë, Mikhail Murashko, raportoi AP.

Në total, 80 të plagosur vazhdojnë të marrim mjekim në spital, derisa 205 të tjerë po marrin asistencë mjekësore jashtë spitalit. 

Sulmi ka ndodhur të premten mbrëma në sallën e koncerteve “Crocus City Hall”, në veriperëndim të Moskës.

Ky ishte sulmi më i madh terrorist në Rusi, në 20 vjet. Të paktën katër persona të armatosur kanë gjuajtur me armë në drejtim të njerëzve që ndodheshin në sallë, dhe më pas ia kanë vënë flakën ndërtesës.

Një degë e Shtetit Islamik e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, derisa inteligjenca amerikane ka thënë se ka informacione që e konfirmojnë se grupi ishte përgjegjës. Shërbimi Federal rus i Sigurisë, ka bërë të ditur se 11 persona janë arrestuar lidhur me sulmin.

Katër të dyshuarit kryesorë për sulmin janë identifikuar se janë me nacionalitet taxhik. Ata janë vënë para gjykatës të dielën, nën akuzat për terrorizëm, derisa gjatë paraqitjes kanë shfaqur shenja dhune.