Botë

Shkatërrohet Konsullata iraniane në Siri në një sulm ajror, të paktën 5 të vdekur

Ambasada e Iranit ne Siri dhe ndertesa e Konsullates e shkaterruar

Foto: Reuters

Një sulm ajror, që pretendohet se është kryer nga Izraeli, ka shkatërruar ndërtesën e Konsullatës së Iranit në kryeqendrën e Sirisë, Damask, duke vrarë disa persona, raportojnë mediumet shtetërore siriane, transmeton “BBC”.

Në foto është parë tym dhe pluhur te ndërtesa e shembur, që është menjëherë ngjitur me Ambasadën e Iranit në autostradën në qarkun perëndimor Mezzeh në Damask.

Një agjenci iraniane e lajmeve ka pretenduar për pesë të vrarë, ndërsa një grup monitorues me seli në Britani të Madhe ka thënë se shifra e viktimave ka arritur në tetë.

Ushtria e Izraelit ka thënë se nuk komenton raportimet e mediave të huaja.

Ushtria e Sirisë ka thënë se një aeroplan ushtarak izraelit ka shënjestruar ndërtesën e Konsullatës nga drejtimi i Rrafshnaltës Golan të okupuar, rreth orës 17:00 me kohë lokale.

Mbrojtja ajrore e Sirisë ka rrëzuar disa nga raketat e lëshuara nga aeroplani, por disa kanë goditur ndërtesën dhe kanë çuar te shkatërrimi i plotë, duke shkaktuar vdekjen apo lëndimin e të gjithëve që ishin brenda, ka thënë ushtria siriane.

Ushtria ka thënë se po vazhdon punën për të nxjerrë viktimat nga rrënojat.

Nuk ka dhënë detaje për identitetet e të vdekurve, por televizioni shtetëror iranian ka thënë se nuk ka pasur personel të ambasadës brenda ndërtesës në kohën e sulmit.

Një burim i sigurisë i Libanit ka thënë për agjencinë “Reuters” se në mesin e të vdekurve është komandanti i lartë i Gardës Revolucionare të Iranit, Mohammad Reza Zahedi.