Botë

Shkarkohet shefi i Forcave Ajrore të Ukrainës pas rrëzimit të F-16

Ukraina

Foto: BBC

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar komandantin e Forcave Ajrore të Ukrainës në mes të debatit mbi shkatërrimin e një prej avionëve të rinj luftarakë F-16.

Zelensky nuk specifikoi arsyen e shkarkimit të gjeneralit Mykola Oleshchuk, por tha se ai kishte përgjegjësinë të “kujdeset për të gjithë luftëtarët tanë”.

F-16 i prodhuar në SHBA - një nga disa të dorëzuar në fillim të këtij muaji nga aleatët perëndimorë të Ukrainës - u rrëzua të hënën, me ç‘rast edhe piloti mbeti  i vdekur. 

Edhe pse kjo ndodhi gjatë një breshëri raketash ruse, autoritetet ukrainase bënë të ditur se shkaku i rrëzimit nuk ishte rezultat i drejtpërdrejtë i një sulmi armik.

Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt 2022 dhe ka pushtuar një pjesë të madhe të territorit në lindje të vendit, raporton BBC. 

Por Ukraina gjithashtu nisi një inkursion të befasishëm në rajonin perëndimor të Kurskut të Rusisë në fillim të këtij muaji - dhe  pretendon se trupat e saj kanë avancuar më thellë në Rusi.

Si kundërpërgjigje, Rusia ka intensifikuar sulmet e saj në të gjithë Ukrainën.

Të premten, një vajzë 14-vjeçare u vra pasi një bombë ruse goditi një shesh lojërash në qytetin verilindor të Ukrainës, Kharkiv, thonë zyrtarët lokalë.

Të paktën gjashtë persona të tjerë u vranë dhe 59 u plagosën pasi një ndërtesë banimi 12-katëshe u godit gjithashtu në qytet që është afër kufirit rus.

Presidenti Zelensky përsëriti thirrjet e tij për të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Ukrainës që ta lejojnë atë të godasë objektivat brenda Rusisë për të parandaluar sulme të tilla, me armët perëndimore.

Zyra e tij njoftoi  se forcat e Moskës kishin gjuajtur më shumë se 400 dronë dhe raketa në Ukrainë gjatë javës së kaluar.