(Përditësim 12:20) - Hamasi ka pranuar një draft-marrëveshje për armëpushimin në Gazë dhe lirimin e dhjetëra pengjeve, kanë konfirmuar dy zyrtarë të përfshirë në bisedime. Ndërmjetësi Katari ka thënë se negociatat janë në pikën më të afërt ndonjëherë.
Janë dhënë shenja se marrëveshja për armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit në Gazë është afruar. Negociatorët do të mblidhen përsëri në Katar për të provuar për të finalizuar marrëveshjen për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për lirimin e pengjeve.
Një zyrtar palestinez, i afërt me çështjen e negociatave, ka deklaruar për BBC-në se për herë të parë që nga fillimi i luftës, delegatët nga Izraeli dhe Hamasi janë duke zhvilluar bisedime indirekte me njëri-tjetrin në të njëjtën ndërtesë.
Gjithashtu, Hamasi ka hequr kërkesën për largimin e trupave izraelite në Rripin e Gazës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka thënë se një marrëveshje është “në prag” të realizimit. Një zyrtar izraelit ka thënë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se një marrëveshje ishte e mundur në “orë, ditë ose më shumë”.
Momenti erdhi si pasojë e kërcënimeve të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, se “ferri do të bjerë” nëse nuk arrihet një marrëveshje deri sa ai të marrë detyrën më 20 janar.
Biden ka folur me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu të dielën, dhe të hënën me Tamim bin Hamad Al-Thanin, emir i Katarit – i cili është duke ndërmjetësuar negociatat.
Zyrtari palestinez shfaqi disa detaje potenciale të marrëveshjes, duke shtuar se “detajet teknike të bisedimeve morën kohë të konsiderueshme”.
Të dyja palët u pajtuan se Hamasi do të lirojë 3 pengje në ditën e parë të marrëveshjes. Pas saj, Izraeli do të fillojë të tërheqë trupat nga zonat e populluara.
Shtatë ditë më vonë, Hamasi, sipas marrëveshjes, duhet t’i lirojë edhe katër pengje shtesë, dhe Izraeli duhet t’i lejojë refugjatët në jug të ktheheshin në veri, por vetëm në këmbë rreth rrugës së plazhit.
Veturat, mjetet që tërhiqen nga kafshët, dhe kamionët duhet të lejohet të kthehen përmes një kalimi shtesë në rrugën Salah al-Din, e monitoruar me pajisje me rreze X, që do të monitorohet nga ekipi i teknik i sigurisë Katar-Egjipt.
Marrëveshja përfshin edhe pikën që parasheh që një pjesë të forcave izraelite të qëndrojë në korridorin Philadelphi dhe të mbajë një zonë neutrale 800-metra rreth kufijve lindorë dhe veriorë gjatë fazës së parë, e cila do të zgjasë 42 ditë.
Izraeli gjithashtu u pajtua të lirojë 1,000 të burgosur palestinezë, duke përfshirë rreth 190 që janë dënuar me 15 vjet burgim ose më shumë. Në kthim, Hamasi do t’i lirojë 34 pengje.
Negociatat për fazën e dytë dhe të tretë do të fillojnë në ditën e 16-të të armëpushimit.
Babai i një pengu izraelito-amerikan ka thënë për BBC-në se “dëshiron të besojë” që Izraeli do “të pranojë” një marrëveshje.
Jonathan Dekel-Chen ka thënë se ai “jeton në terror” çdo ditë nga frika për djalin e tij Sagui.
I dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ishte i pranishëm në Doha.
Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Saar, iu ka thënë reporterëve se progres është bërë dhe se marrëveshja dukej “shumë më mirë se më herët”.
Por zhvillimet e fundit erdhën pasi Netanyahu po përballet me kundërshti të fortë për një marrëveshje potenciale brenda koalicionit të tij qeverisës.
Dhjetë anëtarë të së djathtës, duke përfshirë disa prej partisë Likud së Netanyahut, kanë dërguar një letër duke kundërshtuar marrëveshjen.
Lufta ishte nisur nga sulmi i Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor të 2023-s, gjatë të cilit rreth 1,200 njerëz ishin vrarë dhe 251 të tjerë ishin marrë në Gaza si pengje. Izraeli filloi një ofensivë ushtarake në Gaza për të shkatërruar Hamasin si kundërpërgjigje. Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi në Gaza ka deklaruar se më shumë se 46,500 njerëz janë vrarë gjatë luftës.
Izraeli ka thënë se 94 pengje janë akoma në Gaza, prej të cilëve 34 konsiderohen të vdekur, si dhe katër të tjerë izraelitë që ishin kidnapuar para luftës, dy prej të cilëve janë të vdekur.
Në Gaza situata vazhdon të jetë dëshpëruese.
Amande Bazarolle nga “Medecins Sans Frontieres” ka thënë për BBC-në se edhe pse bisedimet për armëpushim vazhduan, bombardimet e rënda në Gaza vazhduan – nga Rafa dhe Khan Yunis në jug deri në qytetin Gaza në veri.
Bazarolle ka thënë se ajo nuk pret përmirësim të menjëhershëm edhe me një armëpushim.
“Nevojat bazike të përditshme që ti i pret nuk janë aty”, ka thënë ajo.