Një rrugë alternative e përkohshme për anijet do të hapet në qytetin amerikan të Baltimores pas shembjes së një ure të madhe, kanë njoftuar zyrtarët.
Gjashtë persona kanë vdekur pasi anija e mallrave “Dali” goditi urën “Francis Scott Key” të martën e kaluar, duke shkaktuar pezullimin e dërgesave brenda dhe jashtë në një prej porteve më të ngarkuara të vendit.
Ndërkohë po punohet për largimin e mbeturinave nga uji.
Një pjesë 200 tonëshe e urës u hoq të dielën.
Ata që janë përfshirë në pastrim kanë prerë pjesë nga ura në copa më të vogla që mund të hiqen dhe të dërgohen në një vend depozitimi, raporton BBC.
Janë ngritur disa vinça për të mundësuar heqjen e mbetjeve nga ura.
Sipas një deklarate nga “Key Bridge Response”, grup pune i formuar pas incidentit, zyrtarët e portit po përgatiten të hapin kanalin e përkohshëm në anën veri-lindore të kanalit kryesor pranë urës së shembur, për anijet esenciale tregtare.
Kjo do të jetë pjesë e një qasjeje me faza për hapjen e kanalit kryesor.
Kapiteni David O’Connell, i cili ka ndihmuar në grupin e punës, ka thënë se rruga alternative do të shënojë një hap të parë të rëndësishëm përgjatë rrugës për rihapjen e portit të Baltimores.
“Duke hapur këtë rrugë alternative, ne do të mbështesim fluksin e trafikut detar”, ka theksuar ai.
Aktualisht ekziston një zonë sigurie prej 1.828 metrash rreth rrënojave dhe zyrtarët e portit nuk lejojnë asnjë anije të hyjnë në zonë pa leje.
Porti i Baltimores është gjenerator kryesor ekonomik për shtetin e Marylandit dhe një arterie jetike për importet dhe eksportet e tregtisë amerikane dhe globale.
Ekspertët thonë se mund të duhen një muaj para se të rihapet dhe vite për të rindërtuar urën, e besohet se një hetim për incidentin e javës së kaluar mund të marrë vite.
Qeveria amerikane miratoi javën e kaluar 47 milionë dollarë, si fond fillestar të urgjencës të kërkuar nga Maryland.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka thënë se pret që Kongresi të mbështesë financimin për të paguar për rindërtimin e urës. Ai do të vizitojë Baltimoren këtë javë.
Anija me kontejnerë “Dali” - e cila është pothuajse aq e gjatë sa Kulla Eifel - mbetet në ujë. Ekuipazhi i saj prej 22 personash, të gjithë shtetas indianë, thuhet se janë ende në bord dhe nuk janë lënduar.
Dihet pak për ta dhe mbetet e paqartë se kur do të nxirren nga anija e bllokuar.
Guvernatori i Marylandit, Wes Moore ka theksuar më herët se çdo fazë e operacionit të rikuperimit dhe shpëtimit do të ishte e vështirë, pasi kishte “3 mijë deri në 4 mijë tonë çelik në atë anije”.