Kreu i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, është zotuar të shkojë deri në fund për të rrëzuar udhëheqjen ushtarake të Rusisë, disa orë pasi Kremlini e akuzoi atë për “rebelim të armatosur”, shkruan BBC.
Yevgeny Prigozhin ka thënë se luftëtarët e tij kishin kaluar kufirin nga Ukraina në Rusi, duke hyrë në qytetin e Rostov-on-Don.
Prigozhin ka deklaruar se njerëzit e tij do të shkatërronin këdo që do t’i dilte përpara.
Guvernatori lokal u bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të qëndrojnë brenda.
Prigozhin pretendoi se forcat e tij kishin rrëzuar një helikopter ushtarak rus që “hapi zjarr ndaj një kolone civile”. Ai nuk dha një vendndodhje dhe pohimi nuk mund të verifikohej.
Grupi Wagner është një ushtri private mercenarësh që ka luftuar përkrah ushtrisë së rregullt ruse në Ukrainë.
Tensioni është rritur mes tyre për mënyrën se si është zhvilluar lufta, me Prigozhinin që ka lëshuar kritika të zëshme ndaj udhëheqjes ushtarake të Rusisë muajt e fundit.
Të premten, lideri mercenar 62-vjeçar akuzoi ushtrinë për lansimin e një sulmi vdekjeprurës me raketa ndaj trupave të tij dhe u zotua se do t'i ndëshkonte ata.
Autoritetet ruse kanë mohuar sulmin dhe kanë kërkuar që ai të ndalojë “veprimet e tij të paligjshme”.