Botë

Shefi i spiunazhit i Izraelit do të japë dorëheqje pas debatit me Netanyahun

Ronen Bar

Foto: AFP

Kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Izraelit, ka dorëzuar dorëheqjen, raporton “BBC”. 

Ronen Bar, që ka kryesuar agjencinë Shin Bet, ka thënë se do ta lë postin më 15 qershor. Ai e njoftoi këtë në një aktivitet përkujtimor për anëtarët e Shin Bet që vdiqën. 

Bar ishte përfshirë në një shkëmbim të ashpër akuzash me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e shkarkoi atë muajin e kaluar. 

Një apelim në Gjykatën Supreme e pezulloi këtë veprim. 

Por, Ronen Bar ka zgjedhur të dorëhiqet. 

Ai tha se çdo nëpunës publik që nuk arriti të ndalonte sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit 2023, që edhe shkaktuan luftën në Gaza, duhej ta ulte kokën “me përulësi para atyre që u vranë, u plagosën apo u morën peng dhe të vepronte në përputhje me rrethanat”. 

Të dielën, Netanyahu paraqiti një deklaratë nën betim në Gjykatën Supreme ku e akuzoi Barin duke e quajtur gënjeshtar. 

Bar në deklaratën e tij e akuzoi Netanyahun se kërkonte besnikëri të tepruar dhe se kishte urdhëruar agjencinë të spiunonte protestuesit antiqeveritarë.