Botë

Shefi i OKB-së: Mbi 400 mijë të bllokuar në Gazën veriore

kampi refugjate ne Palestine

Foto: Associated Press

Të paktën 45 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore të natës në Gaza, kanë thënë mjekët palestinezë të mërkurën, teksa forcat izraelite kanë kryer sulme në kampin e refugjatëve “Jabalia”, në pjesën veriore të enklavës, raporton Reuters

Ushtria izraelite thotë se sulmi synon ndalimin e luftëtarëve të Hamasit që organizojnë sulme të mëtejshme nga “Jabalia” dhe ta parandalojë rigrupimin e tyre.

Vazhdimisht ka lëshuar urdhra evakuimi për banorët e “Jabalias” dhe zonave përreth, por zyrtarët palestinezë dhe të OKB-së thonë se nuk ka vend të sigurt për të shkuar në Rripin e Gazës.

Shërbimi palestinez i Emergjencës Civile ka thënë se ka marrë raportime të pakonfirmuara se dhjetëra palestinezë mund të jenë vrarë në “Jabalia” dhe zona të tjera të Gazës veriore, por se nuk është në gjendje t’i arrijë për shkak të bombardimeve izraelite.

“Të paktën 400 mijë njerëz janë bllokuar në zonë”, ka thënë Philippe Lazzarini, kreu i Agjencisë së refugjatëve palestinezë të OKB-së (UNRWA), në platformën X të mërkurën. “Urdhrat e fundit të evakuimit nga autoritetet izraelite po i detyrojnë njerëzit të ikin përsëri dhe përsëri, veçanërisht nga kampi ‘Jabalia’. Shumë po refuzojnë sepse e dinë shumë mirë se asnjë vend në Gaza nuk është i sigurt”.

Lazzarini ka thënë se disa strehimore dhe shërbime të UNRWA-së po detyroheshin të mbylleshin për herë të parë që nga fillimi i luftës dhe se gati pa asnjë furnizim bazë në dispozicion uria po përhapej përsëri në Gazën veriore.

“Operacioni i fundit ushtarak kërcënon gjithashtu zbatimin e fazës së dytë të fushatës së vaksinimit të poliomielitit për fëmijët”, ka thënë ai.

Izraeli nuk i ka komentuar menjëherë komentet e Lazzarinit. Autoritetet izraelite kanë thënë më parë se lejojnë dërgesat e ushqimit në Gaza, pavarësisht kushteve sfiduese.