Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u ka kërkuar të 32 vendeve anëtare që t'i kushtojnë më shumë fonde, pajisje dhe energji politike aleancës më të madhe ushtarake në botë, raportoi të enjten “Euronews”.
Në raportin e tij vjetor, Rutte ka thënë se duhet të rriten përpjekjet që Aleanca Veriatlantike të mbetet në avantazh ushtarak.
"Në vitin 2025, ne duhet të rrisim ndjeshëm përpjekjet tona për të siguruar që NATO të mbetet një burim kryesor i avantazhit ushtarak për të gjitha kombet tona. Liria dhe prosperiteti ynë i vazhdueshëm varen nga kjo”, ka shkruar Rutte.
NATO ka qenë në rrëmujë që nga shkurti, kur Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, paralajmëroi se prioritetet e sigurisë së Amerikës qëndrojnë diku tjetër dhe se Evropa duhet të kujdeset për sigurinë e saj dhe të Ukrainës.
Rutte zhvilloi një vizitë në Uashington të enjten për takime me zyrtarë të lartë amerikanë, dy muaj përpara se të kryesojë një samit të presidentit amerikan Donald Trump dhe homologëve të tij të NATO-s në Holandë.
Udhëheqësit pritet të vendosin udhëzime të reja për shpenzimet e mbrojtjes.