Duke dëshmuar publikisht për herë të parë që kur protestuesit pro-Trump sulmuan ndërtesën e Capitolit, gati dy muaj më parë, Wray është pyetur nga kryesuesi i Komitetit të Senatit për Drejtësi, senatori Dick Durbin, rreth asaj nëse FBI-ja ka parë ndonjë provë se individët e përfshirë në sulmin më 6 janar shtireshin se janë përkrahës të Trumpit – pretendim ky të cilin demokrati nga Illinoisi e ka quajtur “gënjeshtra e madhe e radhës”
Drejtori i Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI), Chris Wray, e ka dënuar të martën para ligjvënësve në SHBA dhunën e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit amerikan, duke e quajtur rastin “terrorizëm të brendshëm”. Ai ka thënë gjithashtu se FBI-ja nuk ka pasur qasje në ndonjë provë përmes së cilës do të mund të mbërrihej në përfundimin se protestuesit që morën pjesë në sulmin e 6 janarit mbi Capitol ishin “protestues të rremë pro-Trump”.
Kësisoj, Wray ka hedhur poshtë pretendimin e pabazë që ishte shtyrë përpara nga senatori republikan Ron Johnson gjatë javëve të fundit, teksa ai mundohej të nënvlerësonte përmasat e dhunës së nxitur nga përkrahësit e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Duke dëshmuar publikisht për herë të parë që kur protestuesit pro-Trump sulmuan ndërtesën e Capitolit, gati dy muaj më parë, Wray është pyetur nga kryesuesi i Komitetit të Senatit për Drejtësi, senatori Dick Durbin rreth asaj nëse FBI-ja ka parë ndonjë provë se individët e përfshirë në sulmin më 6 janar shtireshin se janë përkrahës të Trumpit – pretendim ky të cilin demokrati nga Illinoisi e ka quajtur “gënjeshtrën e madhe të radhës”.
“Në këtë fazë, e them me siguri, nuk kemi parë provë për ndonjë gjë të tillë”, është përgjigjur Wray, i pyetur nëse ka dëshmi se trazirat u organizuan nga “protestues të rremë pro-Trump”, duke iu referuar komenteve të Johnsonit gjatë një seance të javës së kaluar në Senat, me ç’rast ai po ashtu pretendoi se të përfshirët në sulm ishin “agjentë nxitës”.
Shumica e republikanëve në panel nuk mbështetën konspiracionet e tilla. Sidoqoftë, pretendimet e pabaza se infiltrues të krahut të majtë ishin përgjegjës për sulmin e dhunshëm, janë shtyrë përpara nga avokatë të Trumpit në procesin e impiçmentit, disa ligjvënës republikanë dhe se paku një folës në Konferencën për Veprim Politik të Konservatorëve, javën e kaluar.
Të martën Wray e ka bërë të qartë se “Antifa” dhe grupe të tjera të krahut të majtë nuk ishin pjesë e dhunës më 6 janar, të cilën e quajti “terrorizëm i brendshëm” – madje edhe teksa disa republikanë u munduan që seancën ta përdornin si mundësi për ta vënë theksin tek rreziku që përbëjnë këto grupe, në vend se të fokusoheshin te sulmi në Capitol.
“Nuk kemi parë, deri më tani, ndonjë provë që lidh ekstremistët e dhunshëm anarkistë apo pjesëtarë të ‘Antifas’ me sulmin e 6 janarit”, i ka thënë Wray Komitetit të Senatit.
Më shumë se 260 persona – shumica prej të cilëve përkrahës të zëshëm të Trumpit, që kanë shprehur neveri ndaj Kongresit – janë akuzuar në gjykata federale rreth veprimeve të tyre gjatë rrethimit të Capitolit, më 6 janar.
Më herët, dhjetëra përkrahës të Trumpit, të akuzuar lidhur me kryengritjen në Capitol, kanë thënë se “Antifa” dhe grupet e tjera të krahut të majtë nuk kishin qenë të përfshira në sulm, duke hedhur kësisoj poshtë konspiracionet e përhapura.
Krahas kësaj, Wray ka dëshmuar të martëen se FBI-ja “nuk ishte në dijeni të ndonjë prove të shumëpërhapur për manipulime me vota, që do të kishte ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve”, duke e hedhur poshtë narracionin e gabuar që është shtyrë vazhdimisht përpara nga Trumpi dhe përkrahësit e tij, gjatë fushatës së 2020-s.
Shumë republikanë në Capitol Hill kanë vazhduar që të shtyjnë përpara akuzat e pabaza për manipulime të përhapura me vota, gjë të cilën kritikët e Trumpit e kanë quajtur “Gënjeshtra e madhe” në javët që nga sulmi i 6 janarit. \ AP