Ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Jean-Noel Barrot, është takuar të enjten me homologun e tij kinez, Wang Yi, në Pekin, në kuadër të vizitës së tij dyditore, raporton AP.
Barrot dhe Wang, kanë diskutuar një gamë të gjerë çështjesh, duke përfshirë luftën në Ukrainë dhe mosmarrëveshjet tregtare midis Kinës dhe Evropës, kanë njoftuar zyrtarët.
Para takimit, Wang ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit në mes dy vendeve, teksa ka bërë thirrje për të “promovuar dialogun dhe bashkëpunimin”.
Të premten, Barrot do të udhëtojë për në Shangai për një seri takimesh me zyrtarë lokalë dhe ndërmarrës të ndryshëm.
Franca ka qenë përkrahëse e palëkundur e Ukrainës që prej kur ka filluar pushtimi i Rusisë tre vite më parë. Në anën tjetër, Kina e ka mbështetur politikisht Rusinë dhe i ka mundësuar stabilitet ekonomik me blerjen e burimeve natyrore të Rusisë, siç janë nafta dhe gazi natyror.