Botë

SHBA-ja zotohet se do ta mbështesë Evropën për rrymë nëse Rusia pushton Ukrainën

Udhëheqësit perëndimorë kanë rritur përgatitjet këtë të martë për çdo veprim ushtarak rus në Ukrainë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të fokusuara në mënyrën se si të mbrojnë furnizimet me energji, duke kërkuar nga vendet evropiane dhe Britania që të bëjnë gati sanksionet ekonomike.

Tensionet mbetën të larta pasi NATO-ja tha të hënën se po vendoste forcat në gatishmëri dhe po përforconte Evropën Lindore me më shumë anije dhe avionë luftarakë në përgjigje të një grumbullimi të trupave ruse pranë kufirit të saj me Ukrainën.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërcënuar me sanksione ekonomike nëse Rusia fillon një pushtim dhe udhëheqësit perëndimorë thonë se uniteti është parësor, raporton Reuters.

"Është absolutisht jetike që Perëndimi të jetë i bashkuar tani, sepse është uniteti ynë tani ai që do të jetë shumë më efektiv në parandalimin e çdo agresioni rus”, ka thënë kryeministri britanik, Boris Johnson në Parlament, duke u bërë thirrje miqve evropianë që të jenë gati për të vendosur sanksione sapo të ketë ndonjë inkursion.

Në Uashington, zyrtarë të lartë të Administratës së Bidenit thanë se Shtetet e Bashkuara ishin në bisedime me vendet dhe kompanitë kryesore prodhuese të energjisë në mbarë botën për një devijim të mundshëm të furnizimeve në Evropë nëse Rusia pushton Ukrainën.

Zyrtarët raportohet se nuk kanë përmendur vendet ose kompanitë e përfshira në diskutime për të mbrojtur furnizimet në Evropë, por thanë se ato përfshinin një gamë të gjerë furnizuesish, duke përfshirë shitësit e gazit natyror të lëngshëm (LNG).

"Ne kemi punuar për të identifikuar vëllime shtesë të gazit natyror jo-rus nga zona të ndryshme të botës; nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme deri në Azi e Shtetet e Bashkuara", tha një zyrtar i lartë i administratës, në kushte anonimiteti. “Përkatësisht jemi në diskutime me prodhuesit kryesorë të gazit natyror anembanë globit për të kuptuar kapacitetin dhe vullnetin e tyre për të rritur përkohësisht prodhimin e gazit natyror dhe për t'i shpërndarë këto vëllime për blerësit evropianë”, shtoi ai.

Bashkimi Evropian varet nga Rusia për rreth një të tretën e furnizimeve të saj me gaz. Çdo ndërprerje në furnizimin me gaz të Rusisë në Evropë do të përkeqësonte një krizë ekzistuese energjetike të shkaktuar nga mungesat.

"Për të siguruar që Evropa të jetë në gjendje të kalojë dimrin dhe pranverën, ne presim të jemi të përgatitur për të siguruar furnizime alternative që mbulojnë një shumicë të konsiderueshme të mungesës së mundshme", tha zyrtari.