Largimi jo vetëm i shtetasve sudanezë, por edhe i të huajve nga kryeqyteti sudanez, Khartoum, ka marrë dhenë me mijëra që gjejnë zgjidhje alternative evakuimi. Derisa shumë shtete kanë organizuar operacione zhvendosjeje për qytetarët e tyre, SHBA-ja ka lënë pas qytetarët dhe ka larguar vetëm personelin e ambasadës dhe atë ushtarak. SHBA-ja është arsyetuar me mospërfshirjen ushtarake në konflikt, si dhe me thirrjet që u ka bërë amerikanëve prej kohësh që të mos udhëtojnë drejt Sudanit
Fraksionet ndërluftuese që përpiqen të marrin kontrollin e kombit të Afrikës Lindore të Sudanit e kanë zhytur vendin në kaos dhe mijëra po largohen nga kryeqyteti i Khartoumit dhe zonat e betejës aty pranë. Disa vende, duke përfshirë SHBA-në, kanë mbyllur ambasadat e tyre dhe shumë po koordinojnë evakuimet e stafit të tyre dhe banorëve të tjerë në një sërë autokolonash, fluturimesh dhe udhëtimesh të furishme largimi.
Por gjatë javës së kaluar ka pasur reagime dramatike të ndryshme nga qeveri të ndryshme teksa përpiqen t'i sigurojnë qytetarët dhe personelin e ambasadave. Shtetet e Bashkuara janë duke shqyrtuar evakuimin e rreth 70 pjesëtarëve të personelit të ambasadës në një mision me helikopter nga komandot elitë të SEAL-it gjatë fundjavës, ndërsa paralajmëroi mijëra qytetarë amerikanë në Sudan se nuk do të kishte evakuim të ngjashëm për ta.
Departamenti i Shtetit, i cili prej vitesh ka këshilluar qytetarët amerikanë që të mos udhëtojnë në Sudan, vazhdon t'i këshillojë amerikanët të strehohen në vend. Shumica e rreth 16 mijë amerikanëve që besohet se janë në Sudan tani janë shtetas të dyfishtë SHBA-Sudan dhe vetëm një pjesë e tyre kanë shprehur dëshirën për t'u larguar.
Por të paktën disa nga ata që janë larguar kanë arritur të mbërrijnë në Portin Sudan, ku mund të marrin një traget për në Xhedah, Arabi Saudite, ose kanë udhëtuar me aeroplan në vende të tjera.
Çfarë po ndodh në Sudan?
Gjithçka zbret në një luftë për pushtet midis dy gjeneralëve të fuqishëm dhe ushtrive të tyre: gjeneralin Abdel Fattah Burhan, i cili drejton forcat e armatosura sudaneze, dhe gjeneralin Mohammed Hamdan Dagalo, kreun e një grupi paraushtarak të njohur si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.
Katër vjet më parë, një kryengritje popullore në Sudan ndihmoi rrëzimin e autokratit që udhëhoqi për një kohë të gjatë, Omar al-Bashir. Por në vitin 2021, dy gjeneralët – Burhani dhe Dagalo – orkestruan së bashku një grusht shtet që prishi përpjekjet për të krijuar një qeveri civile. Të dy burrat kanë një histori të abuzimeve të të drejtave të njeriut dhe forcat e tyre kanë goditur aktivistët pro-demokracisë.
Nën presionin ndërkombëtar, Burhani dhe Dagalo së fundmi ranë dakord për një marrëveshje me partitë politike dhe grupet pro-demokracisë. Por nënshkrimi u vonua vazhdimisht pasi tensionet u rritën mbi integrimin e RSF-së në forcat e armatosura dhe zinxhirin e ardhshëm komandues. Tensionet shpërthyen në dhunë më 15 prill.
Secila palë ka dhjetëra mijëra trupa brenda dhe rreth Khartoumit, dhe qytetit Omdurman në bregun e kundërt të Lumit Nil. Të mërkurën, ditën e dytë të armëpushimit të fundit, luftimet sporadike vazhduan.

Si u largua stafi i Ambasadës së SHBA-së?
Ndërsa kushtet e sigurisë u përkeqësuan në fund të javës së kaluar, duke përfshirë dëmtimin në aeroportin civil dhe një sulm ndaj një autokolone diplomatike të SHBA-së në Khartoum, Departamenti i Shtetit arriti në përfundimin se “e vetmja mënyrë se si mund ta bënim këtë në mënyrë të sigurt për të gjithë personelin tonë diplomatik ishte të mbështetemi në aftësitë e kolegëve tanë ushtarakë”, tha ambasadori John Bass, nënsekretar i Departamentit të Shtetit për menaxhimin.
Të shtunën, Ambasada e SHBA-së në Khartoum pezulloi operacionet e saj dhe urdhëroi stafin të largohej nga vendi.
Departamenti i Mbrojtjes kishte filluar zhvendosjen e personelit në kampin Lemonnier në Xhibuti për t'u përgatitur për një evakuim të mundshëm. Të shtunën, tre helikopterë MH-47 Chinook, që mbanin komando të elitës SEAL, u ngritën nga Xhibuti për në Etiopi, ku u mbushën me karburant dhe më pas bënë fluturimin treorësh për në Khartoum.
"Operacioni ishte i shpejtë dhe i pastër, me anëtarët e shërbimit që kaluan më pak se një orë në terren në Khartoum", tha gjenerali D.A. Sims, drejtor i operacioneve në Shtabin e Përbashkët. Helikopterët fluturuan brenda dhe jashtë Khartoumit pa pësuar asnjë sulm.
Amerikanët ende në Sudan
Ndërsa stafi i ambasadës u dërgua jashtë, nuk kishte plane për të ofruar evakuime të ngjashme për mijëra amerikanë potencialë që gjenden ende në Sudan.
Në një alarm sigurie të martën, Departamenti i Shtetit përsëriti se "për shkak të situatës së pasigurt në Khartoum dhe mbylljes së aeroportit, aktualisht nuk është e sigurt të ndërmerret një evakuim i koordinuar nga qeveria amerikane i qytetarëve të SHBA-së".
Në vend të kësaj, ai dha detaje mbi pikat kufitare që janë të disponueshme dhe kërkesat e nevojshme në çdo vend. Ai paralajmëroi se luftimet vazhdojnë dhe se shumë rrugë janë të rrezikshme dhe të paparashikueshme.
Qytetarët amerikanë që arrijnë në Portin Sudan nga toka dhe mund të marrin një traget për në Xhedah, do të ndihmohen nga konsullata e SHBA-së atje. Tani për tani, ndihma e SHBA-së për amerikanët është e kufizuar, kryesisht në ndihmën telefonike dhe virtuale.
SHBA-ja mund të dërgojë anije të marinës në Portin Sudan për të transportuar amerikanët në Xhedah ose në një vend tjetër ku ata mund të marrin transportin për në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, zyrtarët thonë se kjo do të varet nga situata e sigurisë për ankorimin e anijeve. SHBA-ja ka zhvilluar opsione të tjera, si hapja e një konsullate të përkohshme në Portin Sudan, forcimi i konsullatës së saj në Xhedah për të ndihmuar amerikanët kur ata mbërrijnë, ose përdorimi i një aeroporti të afërt që vendet e tjera evropiane kanë përdorur për të larguar qytetarët.
Zyrtarët amerikanë besojnë se situata e sigurisë në Portin Sudan është më e mirë se në kryeqytet, por mbeten të shqetësuar për mundësinë e një përshkallëzimi të dhunës.
Çfarë po bëjnë vendet tjera?
Ndërsa SHBA-ja thotë se është shumë e rrezikshme për të nxjerrë qytetarët e saj jashtë Sudanit, vendet e tjera po vazhdojnë me evakuimin e shtetasve të tyre.
Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Holanda, Turqia, Japonia, Koreja e Jugut, Jordania, Afrika e Jugut, Egjipti dhe Arabia Saudite janë ndër vendet që kanë evakuuar qytetarët e tyre dhe të vendeve të tjera.
Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë tha në një postim në Twitter të martën se kishte përfunduar fluturimet e saj të evakuimit pasi largoi më shumë se 700 njerëz nga Sudani, përfshirë 200 gjermanë dhe qindra të tjerë nga më shumë se 20 vende të tjera. Franca tha se kishte evakuuar më shumë se 500 njerëz nga 41 vende dhe do të mbante një fregatë të marinës në portin kryesor të Sudanit në Detin e Kuq për të vazhduar ndihmën për operacionet e shpëtimit për të huajt. Mbretëria e Bashkuar po vazhdonte evakuimet ushtarake të civilëve nga një aeroport jashtë Khartoumit. Brigadieri Dan Reeve u tha gazetarëve të mërkurën se situata ishte "e qetë" dhe se forcat e armatosura të Sudanit po ofronin siguri të mirë rreth aeroportit.
Shërbimi shtetëror i lajmeve i Arabisë Saudite tha të martën se kishte evakuuar rreth 2.150 njerëz me anije nga Sudani, duke përfshirë 114 qytetarë sauditë dhe më shumë se 2 mijë të evakuuar nga 62 vende të tjera. Dhe Egjipti, i cili kishte evakuuar më shumë se 1.500 qytetarë të tij, tha se misioni i tij diplomatik nuk do të largohet nga Sudani derisa të sigurojë evakuimin e të gjithë atyre që duan të largohen. Një administrator i Ambasadës egjiptiane në Khartoum u qëllua për vdekje të hënën, tha Ministria e Jashtme.
Evakuimi i qytetarëve amerikanë
Ndërsa shumë amerikanë mund të kujtojnë evakuimin dramatik të vitit 2021 të diplomatëve dhe qytetarëve nga Afganistani, ato rrethana ishin shumë të ndryshme. Në shumicën e rasteve, SHBA-ja nuk evakuon qytetarët kur mbyll një ambasadë.
Situata në Afganistan ishte e ndryshme, sepse SHBA-ja po i jepte fund një pranie ushtarake 20-vjeçare në vend. Ajo po përpiqej të largonte praninë e mbetur amerikane atje, shumica e së cilës ishte e lidhur drejtpërdrejt me rolin e Uashingtonit në mbështetjen e qeverisë afgane. Asnjë situatë e tillë nuk ekzistonte dhe nuk ekziston në Sudan.
Më tipike ka qenë praktika në vende si Jemeni, Siria dhe Venezuela, ku SHBA-ja pezulloi operacionet diplomatike dhe largoi personelin për shkak të trazirave, por nuk evakuoi qytetarët.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu mbyllën shkurtimisht Ambasadën në Kiev për shkak të pushtimit të Rusisë, por nuk pati evakuim ushtarak as për diplomatët dhe as për qytetarët dhe ambasada është rihapur që atëherë.
Në kontrast me situatën në Afganistan, SHBA-ja nuk ishte e përfshirë ushtarakisht në konfliktin e Sudanit dhe nuk kishte prani ushtarake në terren, përveç numrit të vogël të rojave të marinës në ambasadën e Khartoumit.
Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar prej disa vitesh amerikanët që të mos udhëtojnë në Sudan dhe u kanë thënë atyre se ndihma konsullore në ambasadë ishte jashtëzakonisht e kufizuar.
Përktheu: Forca Jashari