“Amnesty International” ka dokumentuar abuzim, duke përfshirë torturën dhe privimin nga kujdesi mjekësor, në objektet e paraburgimit ku gjenden mijëra anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik dhe të afërmit e tyre në Sirinë verilindore.
Qendrat dhe kampet përfshijnë rreth 56 mijë njerëz, shumica prej tyre fëmijë dhe adoleshentë dhe drejtohen nga autoritetet lokale të lidhura me Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, të mbështetur nga SHBA-ja.
Forcat Demokratike Siriane dhe aleatët e saj, duke përfshirë forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja, mundën grupin e Shtetit Islamik në Siri në vitin 2019, duke i dhënë fund “kalifatit” të vetëshpallur islamik që kishte sunduar mbi një pjesë të madhe të territorit që përfshin Irakun dhe Sirinë, raporton “Associated Press”.
Se çfarë duhet bërë me luftëtarët e dyshuar të Shtetit Islamik dhe familjet e tyre është bërë çështje e vështirë.
Shumë vende, qytetarët e të cilëve udhëtuan në Siri për t’iu bashkuar IS-it, kanë hezituar t’i riatdhesojnë ata, siç kanë bërë edhe komunitetet lokale në Siri.
“Ajo që gjetëm është se i gjithë sistemi i paraburgimit është i mbushur me shkelje dhe abuzime”, është shprehur Aya Mazjoub, zëvendësdrejtoresha rajonale për “Amnesty International”.
Sipas raportit të “Amnesty International” shumica dërrmuese e të burgosurve po mbahen në paraburgim për kohë të pacaktuar, pa akuza të ngritura apo pa mbajtje të seancave gjyqësore, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare, ndërsa ata që janë gjykuar, në shumë raste, janë dënuar në bazë të rrëfimeve të nxjerra nën tortura.
Abuzimet e supozuara përfshijnë “rrahje, goditje elektrike dhe dhunë me bazë gjinore”. Një i burgosur mashkull ka thënë se ai dhe të burgosur të tjerë janë detyruar nga rojet e qendrës së paraburgimit që të kryejnë akte seksuale me fshesa, thuhet në raport.
Sipas raportit, të burgosurit janë privuar gjithashtu nga ushqimi, uji dhe kujdesi mjekësor dhe iu kanë nënshtruar të ftohtit dhe nxehtësisë ekstreme në qelitë e mbipopulluara, me disa që dyshohet se vdiqën nga asfiksia.
Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu përgjegjëse për shkeljet e supozuara sepse luajtën një rol kyç në krijimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të paraburgimit, duke siguruar qindra miliona dollarë për Forcat Demokratike Siriane dhe forcat e lidhura me të dhe kanë marrë në pyetje rregullisht të burgosurit.
“Një nga gjetjet kryesore të raportit është se qeveria e Shteteve të Bashkuara është shumë aktive në krijimin dhe përjetësimin e sistemit të paraburgimit”, ka thënë Mazjoub.
Grupi i të drejtave të njeriut ka intervistuar 126 persona të akuzuar për lidhje me Shtetin Islamik, të ndaluar së fundmi ose më parë, së bashku me përfaqësues të administratës lokale dhe punonjës të ndihmës.
“Amnesty International” u ka bërë thirrje autoriteteve lokale, qeverisë së SHBA-së dhe aleatëve të tjerë që të përshtatin sistemin e paraburgimit me të drejtën ndërkombëtare dhe u ka kërkuar Kombeve të Bashkuara që të punojnë me ta për të shqyrtuar procesin e lirimit të të gjithë të dyshuarve për të cilët nuk ka fakte se kanë kryer krime të rënda.
Autoritetet Autonome të Rajonit të Sirisë Veriore dhe Lindore, administrata civile e lidhur me Forcat Demokratike Siriane, shkroi në përgjigje të gjetjeve të “Amnesty International” se nuk kanë pranuar asnjë ankesë zyrtare në lidhje me torturën në objektet e paraburgimit dhe se nëse kjo ka ndodhur, ato janë akte individuale.
Administrata ka thënë se do të marrë masa ndaj punonjësve që kanë kryer shkelje nëse sigurohen prova.
Kanë mohuar pretendimet se të burgosurit janë privuar nga ushqimi, uji dhe kujdesi mjekësor.
Administrata ka pranuar mbipopullimin në objekte, të cilën ia atribuoi mungesës së burimeve financiare për të siguruar qendra më të mëdha.
Autoritetet lokale kanë kundërshtuar pretendimin se njerëzit janë arrestuar në mënyrë arbitrare, duke pohuar se shumica e të arrestuarve janë anëtarë të ndonjë organizate terroriste dhe se shumë prej tyre kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Departamenti Amerikan i Shtetit në përgjigjen e tij ka thënë se ndajnë shumë prej shqetësimeve të ngritura nga “Amnesty International” dhe ka punuar për t’i adresuar ato.
SHBA-ja i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ofrojë ndihmë në menaxhimin e këtyre sfidave dhe që vendet me shtetas të mbajtur në paraburgim në Siri t’i riatdhesojnë ata.