SHBA-ja po synon “t’i ulë temperaturat” në Lindje të Mesme, ndërsa frika për një sulm hakmarrës iranian ndaj Izraelit po rritet, raporton "BBC".
Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield i ka thënë Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York të martën se SHBA-ja “dëshiron ta evitojë një konflikt rajonal”.
Ka frikë se Irani mund të hakmerret ndaj Izraelit për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran në korrik. Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë vrasje.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se arritja e një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit e Hamasit në Gaza mund ta bindë Iranin që të mos nisë sulme ndaj Izraelit.
“Këto janë pritjet e mia, por të shohim. Do ta shohim se çfarë do të bëjë Irani dhe do të shohim nëse do të ketë sulm. Por, nuk po heqi dorë”, ka thënë Biden për gazetarët të martën.
Një rund i ri i bisedimeve për armëpushim është paraparë të mbahet në Doha apo Kajro të enjten.
Por, zyrtari i Hamasit, Ahmad Abdul Hadi, ka thënë se Hamasi nuk do të marrë pjesë në bisedime.
Ndërmjetësues ndërkombëtarë nga SHBA-ja, Egjipti e Katari, janë duke tentuar të arrijnë një marrëveshje për armëpushim ku do të liroheshin pengjet izraelite te familjet e tyre dhe civilët palestinezë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre.