Botë

SHBA-ja thotë se lufta e plotë nuk rezulton me kthimin e sigurt të banorëve në veri të Izraelit

SHBA-ja reagon për Izraelin

Zëdhënësi i sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë të dielën se Izraeli nuk do të jetë në gjendje t’i kthejë në mënyrë të sigurt banorët në veri të vendit duke zhvilluar luftë të plotë me Hezbollahun ose Iranin.

Izraeli ka goditur më shumë shënjestra në Liban të dielën, duke i bërë presion Hezbollahut me sulme pas vrasjes së liderit të grupit të mbështetur nga Irani, Sayyed Hassan Nasrallah. Izraeli ka thënë se synim i tij është t’i bëjë zonat veriore të sigurta nga sulmet ajrore të Hezbollahut dhe të arrijë t’i kthejë të sigurt banorët e zhvendosur.

“Një luftë e plotë me Hezbollahun, e sigurisht edhe me Iranin, nuk është mënyra e duhur. Nëse dëshiron t’i kthesh njerëzit të sigurt në shtëpi, ne besojmë se një rrugë diplomatike është rruga e duhur”, ka thënë Kirby për CNN.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke shikuar se çfarë do të bëjë Hezbollahu për ta mbushur boshllëkun në pozitën drejtuese dhe se “është duke vazhduar të flasë me izraelitët për hapat e drejtë që duhet të ndiqen”, ka thënë Kirby.

Ministria e Shëndetësisë së Libanit thotë se më shumë se 1000 libanezë janë vrarë dhe 6000 të tjerë janë plagosur gjatë dy javëve të fundit. Qeveria ka thënë se një milion njerëz – një e pesta e popullatës – janë larguar nga shtëpitë e tyre.

“Nuk e kemi fshehur faktin që nuk e shohim të domosdoshëm ekzekutimin taktik ashtu siç e bëjnë ata sa i përket mbrojtjes së civilëve”, ka thënë Kirby, duke shtuar se mbështetja e SHBA-së është e fortë.

Irani tha të shtunën se do t’i mbronte interesat e sigurisë dhe atyre kombëtare, por nuk ka dhënë detaje. Gjithashtu bëri thirrje që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mblidhet për të diskutuar rreth veprimeve të Izraelit.

“E kemi parë retorikën e Teheranit. Do të shikojmë dhe do të shohim çfarë do të bëjnë ata”, ka thënë Kirby.