Botë

SHBA-ja thotë se Izraeli mund ta ketë shkelur të drejtën ndërkombëtare në Gaza

Gaza

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikanë kanë thënë se Izraeli mund ta ketë shkelur të drejtën ndërkombëtare humanitare në disa raste gjatë luftës në Gaza kur ka përdorur armët amerikane.

Mund të vlerësohet se armët e furnizuara nga SHBA-ja janë përdorur në një mënyrë që bie ndesh me obligimet e Izraelit, ka thënë Departamenti i Shtetit. 

Por, ka shtuar se qeveria amerikane nuk ka ende informacion të plotë për këtë çështje. 

Raporti u dorëzua në Kongres të premten. Shtëpia e Bardhë urdhëroi të shikohej se si shteti ka përdorur armët amerikane që nga fillimi i vitit të kaluar. 

Në raport është thënë se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare. 

Izraelit iu desh të përballej me një “sfidë të jashtëzakonshme ushtarake” për të luftuar Hamasin në Gaza, thuhet aty, raportoi BBC. 

Më tej thuhet se garancitë që ka marrë nga Izraeli për respektimin e përdorimit ligjor të armëve amerikane ishin “të besueshme”, dhe dërgesat me armë mund të vazhdonin. 

Megjithatë, marrë parasysh sasinë e madhe të armëve amerikane të dërguara në Izrael, ato ka gjasa se janë përdorur “në raste që nuk ishin në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare ose me praktikat më të mira për të zvogëluar dëmtimin e civilëve”.

Po ashtu, Departamenti Amerikan gjeti se Izraeli nuk bashkëpunoi plotësisht me përpjekjet e SHBA-së për të rritur ndihmën humanitare në Gaza në muajt e parë të konfliktit.