Lindje e Mesme

SHBA-ja thotë se Izraeli ka sulmuar Iranin

Iran

Izraeli ka kryer një sulm brenda Iranit, kanë thënë zyrtarë amerikanë, një lëvizje kjo që kërcënon ta fusë rajonin në konflikt më të gjerë. Shpërthime janë raportuar mbi qytetet iraniane, Isfahan dhe Tabriz. Megjithatë, Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. 

Zyrtarët në Washington kanë thënë se forcat izraelite kanë kryer operacione ushtarake kundër Iranit, por nuk kanë dhënë detaje mbi shkallën e këtyre operacioneve. Media shtetërore iraniane ka raportuar se dronë janë rrëzuar mbi provincën Isfahan në orën e hershme të së premtes, ndërsa shfaqi pamje nga qyteti duke treguar se situata ishte e qetë.

Sistemet e mbrojtjes së Iranit janë aktivizuar në disa rajone si masë kundër kërcënimeve potenciale ajrore. 

Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim ka raportuar se në provincën Isfahan janë dëgjuar shpërthime afër një baze ushtarake, por se nuk ka pasur dëme. Sipas Iranit, shpërthimi që është dëgjuar ka qenë i sistemeve mbrojtëse që kanë gjuajtur një “objekt të dyshimtë”. 

Një zyrtar iranian ka thënë se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar tre dronë. 

“Tre dronë janë rrëzuar me sukses nga sistemi ajror i vendit, nuk ka informacione për sulm raketor tash për tash”, ka thënë zëdhënësi i Qendrës Kombëtare për Hapësirën Kibernetike, Hossein Dalirian. 

Sulmi ka ardhur disa orë pari ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, ka thënë se nëse Izraeli ndërmerr veprime ushtarake kundër Iranit, përgjigja e tij do të jetë “e menjëhershme dhe në nivel maksimal”.

Ushtria izraelite ka thënë se nuk ka ndonjë koment në këtë moment, kur është pyetur për shpërthimet në Iran. 

SHBA-ja e ka nxitur Izraelin që të mos i përgjigjej Iranit për sulmin që e nisi ky i fundit në fundjavë. Të enjten, Izraeli i ka thënë SHBA-së se do të hakmerrej ndaj Iranit në ditët në  vijim, ka thënë një zyrtar amerikan.

Zyra e kryeministrit të Britanisë ka thënë se Izraeli e ka të drejtën e vetëmbrojtjes, ndërsa shtoi se “ua kemi theksuar izraelitëve se çfarë ka rëndësi tani është depërshkallëzimi”. 

Disa ambasada u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të kufizojnë lëvizjet brenda Izraelit, teksa Australia u ka kërkuar qytetarëve që të largohen nga Izraeli. Ndërkohë që edhe disa prej fluturimeve të mëngjesit për në Teheran janë anuluar.

“Ekziston një kërcënim i lartë i veprimeve ushtarake dhe sulmeve terroriste kundër Izraelit. Situata e sigurisë mund të përkeqësohet shpejt”, ka thënë Departamenti për Punë të Jashtme i Australisë.

Teherani lëshoi mbi 300 dronë dhe raketa kundër Izraelit në mëngjesin e 14 prillit. Pothuajse të gjithë dronët dhe raketat u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes së Izraelit, por edhe u penguan nga forcat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Britanisë dhe Jordanisë.

Raportohet se Izraeli sulmoi edhe Sirinë e Irakun 

Kanali izraelit i lajmeve N12 ka raportuar se Izraeli ka goditur caqe edhe në Irak dhe Siri, e shpërthime janë raportuar në të dyja këto shtete. 

Ndërsa, media shtetërore siriane Sana ka raportuar se ka “dëme materiale” në jug të Sirisë pas sulmit izraelit. 

“Rreth orës 2:55 sot, armiku izraelit nisi agresionin me raketa”, ka raportuar Sana.