Sugjerimi i presidentit rus, Vladimir Putin, se Rusia mund ta furnizojë me armë Korenë e Veriut është "tepër shqetësues", ka thënë një zyrtar i lartë amerikan, disa ditë pasi Putini dhe lideri veri-korean, Kim Jong-un, nënshkruan një pakt mbrojtës që kërkon nga vendet e tyre të ofrojnë ndihmë të menjëhershme ushtarake nëse ndonjëra sulmohet.
Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka thënë se ofrimi i armëve ruse për Pyongyangin "do të destabilizonte gadishullin Korean, natyrisht, dhe potencialisht... në varësi të llojit të armëve që ata ofrojnë... shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që vetë Rusia i ka mbështetur".
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministria e jashtme e Koresë së Jugut kanë thënë se pakti midis Rusisë dhe Koresë së Veriut përbën një "kërcënim serioz" për paqen dhe stabilitetin. Blinken ka shtuar se SHBA-ja do të konsiderojë "masa të ndryshme" në përgjigje të paktit, i cili ngriti lidhjet midis shteteve të goditura nga sanksionet në nivelin e tyre më të lartë që nga Lufta e Ftohtë.
Gjatë një vizite në Vietnam, Putini ka theksuar se furnizimet reciproke të armëve ruse në Korenë e Veriut do të ishin përgjigje e duhur ndaj furnizimit nga Perëndimi për forcat ukrainase.
Putini paralajmëron Korenë e Jugut që të mos armatosë Ukrainën
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka paralajmëruar Korenë e Jugut se do të bënte një gabim të madh nëse e armatos Ukrainën në luftën kundër Rusisë.
Komentet e tij vijnë pasi Seuli njoftoi se po shqyrtonte një mundësi të tillë, në përgjigje të paktit të ri të Rusisë dhe Koresë së Veriut për të ndihmuar njëri-tjetrin në rast “agresioni” kundër secilit vend.
“Moska do të marrë vendime që nuk ka gjasa të kënaqin udhëheqjen aktuale të Koresë së Jugut, nëse Seuli vendos të furnizojë me armë Kievin”, u tha Putini gazetarëve.
Udhëheqësi rus po fliste në Vietnam, menjëherë pas një vizite në Phenian, ku nënshkruan një marrëveshje të ndërsjellë të mbrojtjes me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Putini paralajmëroi gjithashtu se Moska është e gatshme të armatosë Phenianin nëse SHBA dhe aleatët e saj vazhdojnë të furnizojnë Ukrainën me armë.
Koreja e Jugut e kishte dënuar më herët marrëveshjen ruso-koreanoveriore si një kërcënim për sigurinë e saj kombëtare dhe këshilltari i sigurisë kombëtare Chang Ho-jin kishte thënë se vendi i tij kishte në plan të “rishqyrtojë çështjen e mbështetjes së armëve për Ukrainën”.
Pas komenteve të Putinit, zyra presidenciale e Koresë së Jugut njoftoi të premten se do të shqyrtonte opsione të ndryshme në furnizimin me armë në Ukrainë dhe qëndrimi i saj do të varet nga mënyra se si Rusia i qaset kësaj çështjeje, raporton BBC.
Zyra i bëri thirrje gjithashtu ambasadorit rus, Georgy Zinoviev për të protestuar kundër paktit, duke kërkuar që Moska të ndërpresë menjëherë bashkëpunimin ushtarak me Phenianin.
Ndërsa Koreja e Jugut ka dhënë ndihma humanitare dhe pajisje ushtarake për Ukrainën, ajo deri më tani ka refuzuar të sigurojë armë pasi ka një politikë zyrtare për të mos armatosur vendet në luftë.