Botë

SHBA-ja sulmon kampet e IS-it në Siri, të paktën 35 militantë të vrarë

Siri, ISIS

Foto: Associated Press

Ushtria amerikane ka goditur një numër kampesh të grupit të Shtetit Islamik në Siri këtë javë, duke vrarë deri në 35 militantë, ka bërë të ditur të mërkurën Komanda Qendrore e SHBA-së.

Sulmet ajrore në shkretëtirën e Sirisë qendrore u kryen të hënën në mbrëmje dhe kishin në shënjestër vende të shumta dhe drejtues të lartë të grupit, raporton AP.

Zyrtarët e Pentagonit kanë thënë se grupi i Shtetit Islamik mbetet një kërcënim në rajon, por nuk është më aq i fuqishëm sa ishte 10 vjet më parë kur militantët përfshinin Irakun dhe Sirinë, duke marrë nën kontroll një pjesë të madhe të dy vendeve.

Komanda Qendrore e SHBA-së ka thënë se sulmet e fundit në Siri do të pengojnë aftësinë e grupit për të planifikuar, organizuar dhe kryer sulme kundër civilëve dhe forcave të SHBA-së dhe aleatëve në rajon.

Sipas komandës, nuk ka indikacione për viktima civile në sulme.