Botë

SHBA-ja sanksionon Aleksandar Vulinin

Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, është futur në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Siç është bërë e ditur të martën nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara, sanksionet janë vendosur pasi Vulini është përshirë në afera korruptive.

Më tej thuhet se këto afera korruptive çojnë përpara agjendat e tij politike dhe interesat personalen në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Këto marrëveshje korruptive lehtësojnë aktivitetet keqdashëse ruse në Serbi dhe rajon”, thuhet në njoftim.

Nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson, ka thënë se Thesari nuk do të hezitojë të synojë akterët që abuzojnë me pozitat e tyre për përfitime personale duke minuar qeverisjen efektive dhe demokratike në Ballkanin Perëndimor.

“Veprimet e sotme mbajnë përgjegjës Aleksandar Vulinin për aktet e tij korruptive dhe destabilizuese që po ashtu kanë lehtësuar aktivitetet malinje të Rusisë në rajon”, ka shtuar Nelsoni.

Sipas njoftimit të Thesarit amerikan të Shtetit, Vulini ka qenë i implikuar në krimin e organizuar transnacional, operacione të paligjshme të narkotikëve dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Ai ka mbajtur marrëdhënie reciproke me tregtarin serb të armëve, Slobodan Tesiq, duke ndihmuar në sigurimin që dërgesat e paligjshme të armëve të Tesiqit mund të lëvizin lirshëm nëpër kufijtë e Serbisë”, është bërë e ditur në komunikatë.

Më tej është theksuar se veprimet e Vulinit kanë avancuar korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse të Serbisë. Këto veprime përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit të tij për përfitime personale, duke përfshirë përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës.

“Ai ka përdorur pozicionet e tij publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar aktivitetet keqdashëse të Rusisë që degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe duke i ofruar Rusisë një platformë për të çuar më tej ndikimin e saj në rajon. Vulini është drejtor i Agjencisë Informative të Sigurisë së Serbisë, dhe më parë ka shërbyer si Ministër i Mbrojtjes dhe Ministër i Brendshëm. Këto institucione nuk janë objektivi i këtyre sanksioneve”, bëhet e ditur nga Zyra e Thesarit të SHBA-së.

Si rezultat i vendimit të së martës, të gjitha pronat e personit të caktuar që janë në SHBA, janë bllokuar.

“Të gjitha transaksionet nga personat e SHBA-së brenda (ose që kalojnë tranzit) në Shtetet e Bashkuara që përfshijnë ndonjë pronë ose interes në pronën e personave të caktuar janë të ndaluara. Ndalimet përfshijnë dhënien e çdo kontributi ose ofrimin e fondeve, mallrave ose shërbimeve nga, për, ose në dobi të çdo personi të bllokuar, ose marrjen e ndonjë kontributi ose ofrimin e fondeve, mallrave ose shërbimeve”, thuhet në komunikatë.