Botë

SHBA-ja riatdheson 11 amerikanë dhe 6 fëmijë kanadezë nga Siria

Ilustrim

Ilustrim

Foto: Associated Press

SHBA-ja ka riatdhesuar 11 shtetas të saj dhe gjashtë fëmijë kanadezë nga kampet në Sirinë verilindore, njoftoi Departamenti i Shtetit. 

Dhjetë nga qytetarët amerikanë thuhet se janë anëtarë të një familje. Ndërkaq, gjashtë kanadezët janë të gjithë fëmijë, raporton BBC.

Katër shtetas holandezë dhe një shtetas finlandez u riatdhesuan gjithashtu nga Departamenti i shtetit.

Rreth 30,000 njerëz nga 60 vende, shumica fëmijë, mbeten të bllokuar në dy kampe të mbipopulluara në Siri. 

Kampet, Al-Hol dhe Roj, drejtohen nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët, të cilat luftuan me grupin e Shtetit Islamik për vite me radhë deri në rënien e të ashtuquajturit kalifat të tij, në fillim të vitit 2019. 

Në një deklaratë të martën, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka thënë se ky ishte riatdhesimi i vetëm më i madh i qytetarëve amerikanë nga kampet në Siri deri më sot. 

Ndonëse amerikanët nuk u identifikuan nga Departamenti i Shtetit, mediat amerikane kanë identifikuar njërën prej tyre si një grua e lindur në Massachusetts, Brandy Salman, dhe nëntë fëmijët e saj tani nga mosha 7 deri në 26 vjeç. 

Burri turko-amerikan i Salman thuhet se e mori familjen në Siri në vitin 2016. Ai u vra dhe familja u mor në paraburgim nga SDF-ja.