Shtetet e Bashkuara kanë reduktuar vlerësimin e kostos për ndihmën e dhënë Ukrainës që nga pushtimi i Rusisë në 2022, në rreth 100 miliardë dollarë, nga 300 miliardë dollarë, ka raportuar të mërkurën Bloomberg News, duke cituar njerëz të njohur me këtë çështje.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po kërkon një marrëveshje dypalëshe për mineralet, si pjesë e një shtytjeje paqeje për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Trumpi e sheh një marrëveshje të tillë gjithashtu si një mënyrë për të rikuperuar miliarda dollarët e shpenzuara për ndihmën ushtarake për Kievin, megjithëse ndihma nuk ishte një hua.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se bisedimet me SHBA-në në lidhje me një marrëveshje mineralesh janë "pozitive" dhe se priten më shumë takime.
Muajin e kaluar, administrata Trump ka propozuar një marrëveshje të re, më të zgjeruar për mineralet me Ukrainën, e cila nuk i jep Ukrainës asnjë garanci sigurie në të ardhmen, por kërkon që ajo të vendosë në një fond të përbashkët investimi të gjitha të ardhurat nga shfrytëzimi i burimeve natyrore nga ndërmarrjet shtetërore dhe private në të gjithë territorin ukrainas.