Zyrtarët evropianë dhe ukrainas në takimin në Londër të mërkurën do të përballen me propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta njohur aneksimin ilegal të Krimesë nga Rusia dhe ngrirjen e linjave të frontit si pjesë e një marrëveshjeje të paqes thonë disa burime për “The Washington Post”.
Aleatët e Ukrainës po shpresojnë të fitojnë garanci të sigurisë dhe programe rindërtimi për vendin e shkatërruar nga lufta, në këmbim të lëshimeve të tilla territoriale.
Propozimet e SHBA-së, të cilat i janë prezantuar Ukrainës në Paris javën e kaluar, përfshijnë mundësinë që SHBA-ja ta njohë formalisht Krimenë e aneksuar si territor rus dhe eventualisht t’i largohen sanksionet Rusisë në një marrëveshje në të ardhmen, sipas tri burimeve të informuar mbi çështjen. Në këmbim, Moska do t’i ndalojë sulmet në Ukrainë.
Një këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se propozimet amerikane përfshijnë disa ide që Kievi pajtohet me to dhe disa që nuk pajtohet. Një zyrtar perëndimor tha se sasia e presionit që i është vendosur Ukrainës është e jashtëzakonshme. Si të tjerët, ata folën në kushte anonimiteti.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit minimizoi idenë se Washingtoni po i paraqiste një fakt të kryer Kievit, por zhgënjimet gjithnjë e më të mëdha publike të administratës së Donald Trumpit me ritmin e bisedimeve e kanë lënë Kievin të frikësuar nga një rënie tjetër në marrëdhëniet me Washingtonin.
E presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka refuzuar idenë që ta njohë Krimenë si territor rus.
“Krimea është territor i yni, territor i popullit të Ukrainës. Ne nuk kemi asgjë për të biseduar për këtë temë”, tha Zelensky për mediumin ukrainas “Suspilne”. “Në momentin kur ne fillojmë të bisedojmë për Krimenë, për territoret tona sovrane, atëherë futemi në një format të zgjatjes së luftës. Kjo është ajo që do Rusia”.
Rusia e ka aneksuar Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.