Administrata amerikane thuhet se po shqyrton tërheqjen e deri në 10,000 ushtarëve amerikanë nga Evropa Qendrore dhe Lindore, sipas një raporti nga transmetuesi amerikan “NBC News”.
Planet e pakonfirmuara kuptohet se kanë për qëllim zvogëlimin e pranisë së SHBA-së në Poloni dhe Rumani, pavarësisht se liderët rajonalë shohin kërcënim në rritje nga Rusia, e cila sipas tyre po shfaqet gjithnjë e më agresive.
Burimet nga NBC News kanë thënë se propozimi, nëse miratohet, mund të “përforcojë frikën se Shtetet e Bashkuara po braktisin aleatët e saj të vjetër në Evropë, të cilët e shohin Rusinë si kërcënim në rritje”.
“Presidenti po rishikon vazhdimisht vendosjet dhe prioritetet, për t'u siguruar që Amerika të jetë e para”, ka thënë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Brian Hughes në një deklaratë për NBC News.
Raporti, i cili ka shkaktuar shqetësim në rajon, pason një vendim të veçantë për “të zhvendosur” disa trupa amerikane nga Jasionka pranë Rzeszowit në Poloninë juglindore, e cila luan një rol kyç në lehtësimin e operacioneve të ndihmës për Ukrainën, në pjesë të tjera të Polonisë.
“Puna e rëndësishme për lehtësimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën nëpërmjet Jasionka do të vazhdojë nën udhëheqjen polake dhe të NATO-s”, thuhej në deklaratën e publikuar të hënën.
Por ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, ka hedhur poshtë shqetësimet për vendimin, duke thënë të martën se SHBA-ja thjesht po zbaton një ndryshim të rënë dakord në samitin e NATO-s të vitit të kaluar në Uashington.
“Misioni në Jasionka tani do të mbështetet nga trupa nga Polonia, Gjermania, Britania dhe Norvegjia, me aleatë të tjerë të përfshirë gjithashtu”, ka shtuar ai.
Një deklaratë e veçantë nga Ministria polake e Mbrojtjes theksonte se ndryshimi ishte “i planifikuar” dhe “është pjesë e një strategjie më të gjerë për të përmirësuar operacionet ushtarake të SHBA-së”.
Presidenti polak, Andrzej Duda, gjithashtu u përpoq të qetësonte frikën rreth zhvendosjes, duke u thënë gazetarëve gjatë një udhëtimi në Estoni se ai ishte informuar paraprakisht për vendimin dhe se kjo nuk nënkuptonte tërheqje të SHBA-së.
LEXO EDHE: