Botë

SHBA-ja po heton rrjedhjen e dokumenteve lidhur me planet e Izraelit për ta sulmuar Iranin

Benjamin Netanyahu dhe Joe Biden

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara po hetojnë një publikim të paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara lidhur me planet e Izraelit për të sulmuar Iranin, kanë thënë tre zyrtarë amerikanë për Associated Press. 

Dokumentet ishin të Agjencisë së Inteligjencës Gjeohapësinore të SHBA-së dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, dhe theksonin se Izraeli është duke i lëvizur asetet ushtarake në vend për të kryer një sulm ushtarak në përgjigje të sulmit me raketa balistike të Iranit më 1 tetor. 

Dokumentet, të cilat janë shënuar si top sekret, janë postuar në aplikacionin e mesazheve Telegram dhe u raportuan fillimisht nga CNN dhe Axios.

Hetimi po shqyrton gjithashtu se si janë marrë dokumentet, duke përfshirë nëse ishte një rrjedhje e qëllimshme nga një anëtar i komunitetit të inteligjencës amerikane, apo i marrë me një metodë tjetër, si hakimi, dhe nëse ndonjë informacion tjetër i inteligjencës ishte komprometuar, ka thënë një nga zyrtarët. Si pjesë e këtij hetimi, zyrtarët po punojnë për të përcaktuar se kush kishte qasje në dokumente para se ato të postoheshin, ka thënë zyrtari.

SHBA-ja i ka kërkuar Izraelit të përfitojë nga eliminimi i liderit të Hamasit, Yahya Sinwar dhe të bëjë presion për një armëpushim në Gaza, dhe gjithashtu ka paralajmëruar urgjentisht Izraelin që të mos zgjerojë më tej operacionet ushtarake në veri në Liban dhe të rrezikojë një luftë më të gjerë rajonale.

Megjithatë, udhëheqja e Izraelit ka theksuar në mënyrë të përsëritur se nuk do ta lërë sulmin raketor të Iranit të mbetet pa përgjigje.

Në një deklaratë, Pentagoni ka thënë se ishte në dijeni të raporteve të dokumenteve, por nuk kishte komente të mëtejshme.

Dokumentet u shfaqën fillimisht në internet të premten përmes një kanali në Telegram, duke pretenduar se ato ishin zbuluar nga dikush në komunitetin e inteligjencës amerikane, më pas nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së.