Autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftuan se në Bukuresht është arrestuar Mohammed Ibrahim Bazi, i cili konsiderohet si financuesi kryesor i organizatës Hezbollah.
Autoritetet rumune njoftuan se 58-vjeçari Bazi u arrestua sapo mbërriti në aeroportin e Bukureshtit.
“Mohammed Bazi mendoi se mund të transferonte fshehurazi qindra mijëra dollarë nga SHBA-ja në Liban, pa e zbuluar ligji. Ai e kishte gabim”, ka thënë prokurori amerikan Brandon Peace.
Aktakuza amerikane, ndër të tjera, akuzon Bazin dhe shtetasin libanez Talal Shahin (78 vjeç) për nxitje të transaksioneve të paligjshme me një organizatë terroriste globale dhe pastrim parash.
Bazi, i cili ka nënshtetësi belge dhe libaneze, u caktua si “terrorist global” nga SHBA-ja në vitin 2018, raporton AP.
Uashingtoni më pas ofroi 10 milionë dollarë për informacion që mund të çonte në arrestimin e tij.