Botë

SHBA-ja ngre akuza ndaj liderit të Hamasit dhe militantëve të tjerë për sulmin në Izrael më 7 tetor

Yahya Sinwar - lider i Hamasit

Foto: Associated Press

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka njoftuar se ka ngritur akuza penale të martën kundër liderit të Hamasit, Yahya Sinwar dhe militantëve tjerë të lartë në lidhje me sulmet e 7 tetorit të vitit të kaluar në Izrael ku u vranë 1200 persona e u morën mbi 250 pengje, raporton agjencia “AP”.  

Është përpjekja e parë nga autoriteti ligjzbatues në SHBA për të thirrur zyrtarisht para drejtësisë organizatorët e sulmit. 

Padia e përbërë prej shtatë akuzave është dorëzuar në Gjykatën Federale në New York. Në të përfshihen akuza për konspiracion për të ofruar mbështetje materiale për një organizatë të huaj terroriste, komplot për vrasjen e shtetasve të SHBA-së dhe konspiracion për përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë. Po ashtu akuzohet Irani dhe Hezbollahu në Liban për ofrimin e mbështetjes financiare dhe armëve, përfshirë raketat, që u përdorën në sulm. 

Ndikimi i rastit mund të jetë simbolik duke marrë parasysh se Sinwar besohet se fshihet në tunele dhe të paktën dy nga të pandehurit të përmendur nga Departamenti i Drejtësisë mendohet se janë vrarë. Por, zyrtarët në SHBA thonë se të paktën një person pritet të sillet në New York për ndjekje penale.